Select Page

– Er-Raĥmânir-Raĥîm. – “Të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit”  – Këta janë dy emra që tregojnë se Allahu i Lartësuar është zotërues i mëshirës së gjerë, të madhe, e cila ka përfshirë çdo krijesë. Në fakt, mëshira, në formën e saj të plotë, është bërë vetëm për të devotshmit dhe pasuesit e denjë të të dërguarve dhe profetëve të Tij; vetëm këta do t’i përfshijë mëshira e Tij absolute, kurse të tjerët do të shijojnë veçse një pjesë të saj.

Mësoje se ndër rregullat themelore, me pajtueshmëri mes dijetarëve të parë (selef) dhe imamëve të drejtë, është: Besimi i drejtë në fushën e emrave dhe cilësive të Allahut të Lartësuar, si dhe të dispozitave që lidhen me ata. Kështu, në rastin tonë, ne duhet të besojmë që Allahu i Lartësuar është i Gjithmëshirshëm dhe Mëshirëplotë (Er-Raĥmânu Er-Raĥîm), duhet të besojmë se Ai është zotërues i kësaj mëshire, me të cilën është emërtuar dhe cilësuar (pra, nuk janë emra pa kuptim), dhe që kjo mëshirë lë gjurmë dhe është ndikuese tek të tjerët.

Të gjitha mirësitë, pa përjashtim, janë rezultate të mëshirës së Tij. Në këtë mënyrë besohet, pra, për të gjithë emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar. Kështu, për shembull, të njëjtën gjë themi për emrin Alîm (i Ditur):

  1. Ai është i Dituri absolut;
  2. Ai zotëron dije absolute (pra, nuk është thjesht një emër pa domethënie).
  3. Ai di gjithçka, për çdo gjë.

Ose për emrin Ķadîr (i Plotfuqishëm), themi:

  1. Ai është i Plotfuqishmi.
  2. Ai zotëron pushtetin për të bërë gjithçka.
  3. Me këtë pushtet, Ai ndikon dhe arrin gjithçka që dëshiron.