Kjo sure quhet ndryshe surja e Benu Nadirit. Këta ishin një fis i madh jehudësh, që jetonin në njërin krah të Medinës, në kohën e Profetit (a.s.). Kur Muhamedit (a.s.) i erdhi Shpallja dhe emigroi për në Medinë, ata e mohuan dhe e refuzuan atë si profet, ashtu sikurse vepruan edhe shumë fise të tjera jehudësh. Pasi mbërriti në Medinë, Profeti (a.s.) lidhi pakt me të gjitha fiseve e jehudëve që jetonin pranë tij në Medinë. Pas ngjarjes së Bedrit, rreth gjashtë muaj ose më shumë pas saj, Profeti (a.s.) shkoi te fisi i Beni Nadirit dhe bisedoi me ta që ta ndihmonin në lidhje me kompensimin e vrasjes së dy idhujtarëve të fisit Kelabije nga Amër Ibn Umeje Ed-Damrij.182
Ata iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Profetit (a.s.), duke thënë: “Po, do ta bëjmë ne, o Ebu Kasim! Mund të ulesh këtu, derisa të bëjmë gati atë që kërkon.” Atëherë, ata u veçuan me njëri-tjetrin dhe shejtani i mallkuar filloi t’i nxiste dhe t’u zbukuronte një veprim, i cili do të ishte dëshpërimi i tyre. Atë e meritonin dhe kështu ishte e shkruar për ta. Duke planifikuar vrasjen e Profetit (a.s.), thanë: “Cili nga ju do ta marrë këtë rrasë guri, të ngjitet mbi mur dhe t’ia shtypë kokën me të?” Më fatziu i tyre, Amër Ibn Xhehashi, u hodh e tha: “E marr unë përsipër ta kryej!” Këtu ndërhyn Selam Ibn Mishkemi, që thotë: “Mos e bëni! Betohem në Allah, se atij do t’i përcillet shumë shpejt ky plan i juaj! Nuk ka dyshim se kjo do të thotë thyerje e paktit, që ne kemi bërë me të.” Ndërkohë, Profetit (a.s.) i zbriti menjëherë Shpallja prej Zotit të tij, duke e njoftuar për komplotin e jehudëve. Ai u ngrit me të shpejtë prej atij vendi dhe u nis për në Medinë.183
Pas tij shkuan edhe sahabët, të cilët i thanë: “Ti brofe me të shpejtë që andej, kurse ne as nuk e ndiem se si u largove!”. Dhe Profeti (a.s.) u kallëzoi për kurthin e jehudëve. Më pas, Profeti (a.s.) u dërgoi një ultimatum Benu Nadirëve, ku thuhej: “Largohuni nga Medina dhe nuk keni për të jetuar më kurrë aty, pranë meje! Ju jap afat dhjetë ditë. Çdokush që gjendet në të pas këtij afati, do të ekzekutohet!” Dhe, vërtet, për disa ditë me radhë, ata nisën të përgatiteshin për largimin, por, papritur, munafiku Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli u dërgoi atyre një mesazh, ku u thoshte: “Mos u largoni nga vendi juaj, sepse me mua janë 2000 luftëtarë, që do të hyjnë në ndërtesat tuaja dhe janë gati të luftojnë deri në vdekje, së bashku me ju. Në ndihmë do t’ju vijnë edhe Benu Kurejdhat me aleatët e tyre nga Gatafani.”
Ky mesazh i dha shpresë udhëheqësit të Benu Nadirëve, Hujej Ibn Ahtabit, i cili i dërgoi fjalë Profetit ( a.s) dhe i tha: “Ne nuk kemi për të dalë nga vendet tona! Vepro çfarë të duash!” Pasi mori këtë mesazh, Profeti (a.s.) dhe shokët e tij thanë: “Allahu Ekber”, dhe u nisën drejt tyre. Ishte Ali Ibn Ebu Talibi ai që mbante flamurin. Benu Nadirët, në pritje të ndihmës së aleatëve të tyre, rezistuan në fillim, duke mbrojtur muret me shigjeta e gurë. Por ndihma e premtuar nuk erdhi. Benu Kurejdhat u distancuan, ashtu si Ibn Ubeji me aleatët e tij prej Gatafani nuk e mbajtën fjalën. Benu Nadirët qëndruan të rrethuar, derisa u dorëzuan, duke kërkuar që të largoheshin nga Medina. Profeti (a.s.) gjykoi që ata të lejoheshin të dilnin së bashku me familjet e tyre, duke marrë me vete aq plaçka, përveç armëve, sa mund të mbanin devetë e tyre.
Kështu, Profeti (a.s.) mbajti pasurinë që ata lanë dhe armët e tyre. Plaçka e luftës e marrë nga Benu Nadirët ishte e veçantë vetëm për Profetin (a.s.) dhe ishte ai që e përcaktoi ndarjen e saj në dobi të muslimanëve. Kjo pasuri nuk iu nënshtrua rregullit të zakonshëm të ndarjes së plaçkës së luftës, sepse Allahu i Lartësuar ia dhuroi atë Profetit të Tij, pa qenë e nevojshme që muslimanët të luftonin me kalorësinë dhe këmbësorinë e tyre. Jehudët u larguan në drejtim të Hajberit me në krye Hujej Ibn Ahtabin, ndërsa Profeti (a.s.) mori në sundim tokën e tyre. Gjithashtu, ata lanë edhe shumë armatim, si 50 mburoja, 50 përkrenare dhe 340 shpata. Kjo qe shkurtimisht ngjarja me Benu Nadirët, sikurse e kanë përshkruar historianë të ndryshëm.
– “Allahun e madhëron me (tesbih) përlëvdim gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.” – Allahu i Lartësuar e hap këtë sure duke na bërë të qartë se gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë i bën tesbih Atij, duke e falënderuar e lavdëruar, duke e lartësuar Atë nga çdo mangësi që nuk i shkon madhështisë së Tij, duke e adhuruar Atë me nënshtrim dhe drojë. Allahu është El Aziz – Krenari e Ngadhënjimtari, i Cili ka nënshtruar gjithçka dhe asgjë nuk është e pamundur për fuqinë e Tij. Askush nuk mund t’i shpëtojë pushtetit dhe sundimit të Tij. Allahu është El Hakim – i Urti, si në krijimin e Tij, edhe në ligjet e vendosura prej Tij. Ai nuk ka krijuar asgjë më kot dhe nuk ka bërë asnjë ligj që të mos jetë me dobi. Të gjitha veprat e Allahut janë bërë me urtësinë e Tij. E tillë ishte edhe ndihma që Allahu i Lartësuar i dhuroi Profetit (a.s.) kundër qafirëve të fisit Benu Nadir. Kur ata tradhtuan, duke e shkelur paktin me Profetin (a.s.), Allahu i nxori nga vendi i tyre, të cilin e donin dhe ishin të lidhur aq shumë:
182 Këtu flitet për ngjarjen e Pusit të Maunas. Kjo ndodhi në muajin sefer të vitit të katërt të Hixhrit. Shkurtimisht, kjo ngjarje zuri fill me vizitën e Ebu Bera Amër Ibn Malikut, që thirrej me nofkën Mulaibul Esineh. Pejgamberi (a.s.) e ftoi atë të pranonte Islamin, por ai për momentin nuk pranoi, ndonëse nuk u duk ndonjë refuzim i fortë prej tij. Ai i tha Pejgamberit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut, do të ishte më mirë sikur te populli i Nexhdit të dërgoje shokët e tu, me qëllim që t’i ftojnë ata në përqafimin e fesë tënde. Unë shpresoj që ata të përgjigjen pozitivisht.” Pejgamberi (a.s.) ia ktheu: “Kam frikë nga populli i Nexhdit, se mos u bën gjë atyre!” Por Ebu Berai i tha: “Dal unë dorëzanë për ta!” Atëherë, Pejgamberi (a.s.) dërgoi te populli i Nexhdit (sipas versionit të Ibn Ishakut) dyzet burra, ndërsa në Sahih-un e Buhariut dhe të Muslimit thuhet se ishin shtatëdhjetë burra (sigurisht, ky variant i fundit është më i saktë).
Pejgamberi (a.s.) i dërgoi ata nën komandën e El Mundhir Ibn Amrit, një nga bijtë e Benu Saides, i ashtuquajturi El Mu’nik li Jemute. Ata ishin nga më të mirët e muslimanëve, për sa i përket diturisë, moralit dhe fisnikërisë. E kështu nisën marshimin, derisa mbërritën te Pusi i Maunas. Ky pus ndodhej ndërmjet trojeve të fisit Benu Amir dhe krastës së Benu Sulejmit. Pasi u vendosën aty, delegacioni i dijetarëve dërgoi Haram Ibn Melhanin, vëllain e Ummu Sulejmit, që t’i paraqiste mesazhin e Pejgamberit (a.s.) armikut të Allahut, Amir Ibn Tufejlit. Ky i fundit as nuk denjoi të shikonte letrën e dërguar nga Pejgamberi (a.s.), madje urdhëroi një nga të tijët për ta goditur lajmëtarin me shtizë pas shpine. Kur shtiza përshkoi tej e tej trupin e lajmëtarit të Pejgamberit (a.s.) dhe gjaku i tij vërshoi, lajmëtari i Pejgamberit, plot kënaqësi, tha: “Fitova, pasha Zotin e Qabes!”
Menjëherë pas kësaj, armiku i Allahut u organizua shumë shpejt për të vrarë pjesën tjetër të muslimanëve. Ai thirri në ndihmë fisin e Benu Amirit, por ata nuk iu përgjigjën ftesës së tij, për shkak të besës së dhënë nga Ebu Berai, për të siguruar muslimanët. Atëherë, Amir Ibn Tufejli iu drejtua për aleancë fisit Benu Sulejm, dhe prej këtij fisi arriti të siguronte aleancën e Usejjes, Ri’alit dhe Dhekuanit. Këta u grumbulluan dhe rrethuan shokët e Pejgamberit (a.s.), të cilët luftuan si burrat, derisa u vra edhe i fundit i tyre. I vetmi që shpëtoi, ishte Kab Ibn Zejd Ibn Nexhari. Ai mundi të shpëtonte, duke u shtirë si i vrarë, i mbuluar nga plagët e rënda. Ai jetoi pas kësaj ngjarjeje, derisa u vra në betejën e Hendekut. Ndërkohë, Amër Ibn Umeje el Damri dhe Mundhir Ibn Ukbete Ibn Amiri, të cilët ishin duke ruajtur bagëtitë e muslimanëve, kur panë zogjtë që vërtiteshin sipër vendit të betejës, brofën për te fushëbeteja.
Kështu, Mundhir Ibn Muhamedi zbriti dhe luftoi kundër idhujtarëve, derisa u vra bashkë me shokët e tjerë. Ndërsa Amër Ibn Umeje el Damri ra rob në duart e tyre. Kur morën vesh se ai ishte prej Mudari, Amiri ia preu balluket dhe e liroi, për shkak të betimit të nënës së tij se do të lironte një rob nga Mudari. Amër Ibn Umeje mori rrugën e kthimit dhe, kur arriti në një vend të quajtur Karkaratu, në hyrje të një lugine, u ul poshtë hijes së një peme. Atje kaluan dy burra prej fisit Kilab dhe u ulën për të pushuar pranë tij. Kur ata i zuri gjumi, ai shkoi dhe i vrau në befasi, duke menduar se në këtë mënyrë po merrte hak për shokët e vrarë. Por kjo përbënte shkelje, sepse ata kishin qenë nën mbrojtjen që u jepte një marrëveshje paqeje me Pejgamberin (a.s.), edhe pse Amri nuk e dinte një gjë të tillë. Kur u kthye, ai e lajmëroi Pejgamberin (a.s.) për veprën e tij, ndërsa ai i tha: “Ke vrarë dy vetë, për të cilët duhet të jap shpagim.”
183 Ngjarja e mësipërme shënon edhe shkakun e fillimit të betejës me Benu Nadirët. Ishte Pejgamberi (a.s.) i pari që u nis në këtë luftë. Atje i mbajti të rrethuar ata gjashtë net. Gjatë kësaj kohe, në Medinë la si mëkëmbës Ibn Ummu Mektumin. Kjo ndodhi në muajin rabiul euel. Ibn Hazmi thotë që pikërisht në këtë periudhë u ndaluan edhe pijet alkoolike. Në fund, Benu Nadirët u dorëzuan, duke pranuar gjykimin e Pejgamberit (a.s.), i cili i lejoi ata që të largoheshin, por nuk i lejoi të merrnin me vete më shumë sesa mbanin devetë e tyre, përveç armëve. Kështu pra, ata u dëbuan prej viseve të tyre, për shkak të prishjes së paktit me Pejgamberin (a.s.).
Krerët e çifutëve, si Hujej Ibn Ahtabi dhe Selam Ibn Ebu Ukajki, shkuan drejt Hajberit, ndërsa disa të tjerë iu drejtuan Shamit. Prej tyre pranuan Islamin veçse dy vetë, Jamin Ibn Amri dhe Ebu Sad Ibn Uehbi, pasuria e të cilëve u ruajt e paprekur. Pasurinë e fisit Benu Nadir, Pejgamberi (a.s.) ua shpërndau kryesisht muhaxhirëve të parë, sepse ajo plaçkë nuk ishte fituar në betejë. Prej ensarëve nuk mori kush nga kjo pasuri, përveç Ebu Duxhanes dhe Sehl Ibn Hunejfit, për shkak të gjendjes së tyre shumë të varfër. Në përshkrim të kësaj lufte zbriti edhe sureja Hashër, sipas versionit më të saktë të pranuar nga historianët dhe studiuesit.
Muhamed Ibn Shihab el Zuhri pretendon se ndeshja me Benu Nadirët ndodhi gjashtë muaj pas Luftës së Bedrit, por ky është një gabim dhe keqkuptim nga ana e tij. Është e sigurt dhe e padiskutueshme se beteja me Benu Nadirët ndodhi pas betejës së Uhudit. Në fakt, beteja që u zhvillua gjashtë muaj pas Luftës së Bedrit, ishte beteja me fisin Benu Kajnuka. Beteja me Benu Kurejdhat ndodhi pas Luftës së Hendekut, ndërsa Beteja e Hajberit ndodhi pas Hudejbies. Pejgamberi (a.s.) zhvilloi kundër çifutëve katër luftëra. E para ishte lufta kundër Benu Kajnuka, që ndodhi gjashtë muaj pas betejës së Bedrit. E dyta ishte beteja me Benu Nadirët, që ndodhi pas Luftës së Uhudit. E treta ishte beteja kundër Benu Kurejdhave, që ndodhi pas Luftës së Hendekut, ndërsa beteja e katërt ishte ajo Hajberit, e cila ndodhi pas Hudejbies. [Shih “Zadul Mead”, v. 3.]