Select Page

– “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe besoni të Dërguarin e Tij! Allahu ju jep dyfish nga mëshira e Tij,” – Ka mundësi që këto fjalë t’u drejtohen ithtarëve të Librit, domethënë, atyre që besojnë dhe pasojnë Musain ose Isain (a.s.). Allahu i Madhëruar i urdhëron ata që të punojnë sipas besimit të vërtetë. Ai i urdhëron që të kenë drojë (takua) ndaj Tij, duke iu larguar gjynaheve dhe mosbindjes, dhe të besojnë të Dërguarin e Tij, Muhamedin (a.s.).

Nëse veprojnë kështu, Allahu ka për t’i shpërblyer dyfish, prej mëshirës së Tij: një shpërblim për besimin e tyre në profetët e shkuar dhe një shpërblim për besimin e tyre në Profetin e Fundit, Muhamedin (a.s.). Por ka mundësi, gjithashtu, që ky urdhër t’u drejtohet të gjithëve, qofshin ithtarë të Librit ose jo. Ky shpjegim është madje më i dukshëm. Kësisoj, Allahu i Madhëruar i urdhëron të gjithë njerëzit për besim dhe drojë (takua) ndaj Tij.

Ai i urdhëron për pasimin e plotë të fesë së drejtë, me themelet dhe degëzimet e saj, si në veprat e jashtme e të dukshme, ashtu edhe për veprat e fshehta dhe të padukshme. Nëse e zbatojnë këtë urdhër, i Lartësuari u premton dyfish prej mirësisë dhe mëshirës së Tij. Madhësinë e këtij shpërblimi nuk e di askush, veç Allahut të Lartësuar.

Një shpërblim është për besimin dhe një shpërblim për takua-në; ose një shpërblim për zbatimin e urdhrave dhe një shpërblim për lënien e harameve. Po ashtu, ka mundësi që “ju jep dyfish” të ketë kuptimin: “ju jep shpërblime të shtuara herë pas here”. Por jo vetëm kaq, sepse Allahu i Madhëruar thotë në vijim:

– “… ju dhuron dritë, që të ecni me të, dhe ju fal gjynahet.” – Përveç shpërblimit të shumëfishuar, Allahu i Lartësuar ka për t’ju dhënë dituri udhëzim dhe dritë, që të ecni mes territ të injorancës. Më shumë akoma, Ai do t’ju falë gjynahet dhe do t’ju mbulojë të metat.

– “Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Prandaj, asnjërit të mos i duken shumë këto premtime për Allahun, që zotëron mirësi të pakufishme, të cilat kanë përfshirë qiejt e Tokën dhe çfarë gjendet mes tyre. Çdo krijesë është rrethuar nga mirësitë e Tij dhe nuk bën dot pa to as sa një pulitje sysh, madje as më pak se kaq.