– “Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?”” – A nuk ishim së bashku me ju në dynja kur thoshim: “La ilahe il-l’Allah”, kur faleshim, agjëronim, merrnim pjesë në xhihad dhe punonim njëlloj si ju?! Përgjigjja u vjen kështu:
– ““Po, por ju e shkatërruat veten, …” – Po, është e vërtetë që ishit me ne në dynja dhe vepronit njëlloj si ne, por veprat tuaja ishin pa besim dhe pa qëllim të pastër.
– “… sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë …” – Ju dyshonit në vërtetësinë e Shpalljes së Zotit, e cila nuk pranon asnjë dyshim. Gjithashtu:
– “… dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit.” – Ju u mashtruat nga ëndrra e kotë se, me gjithë dyshimet tuaja, ju do të arrinit të njëjtin sukses ashtu si besimtarët. Kështu vazhduat, derisa ju erdhi vdekja, me caktimin e Zotit, dhe ju gjeti në atë gjendje të shëmtuar.
– “Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut.” – Ishte Gënjeshtari, Shejtani i mallkuar, ai i cili jua zbukuroi në zemër mohimin dhe dyshimet, aq sa ju gjetët qetësi dhe u kënaqët me atë gjendje. Ju e besuat premtimin e tij të rremë dhe e morët për të vërtetë çdo fjalë të tij.