– “Edhe ata që kur bëjnë ndonjë gjë të shëmtuar, ose kur i bëjnë padrejtësi vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i fal tjetër gjynahet, përveç Allahut?” – Sa herë që ata bëjnë ndonjë gabim të madh apo dëmtojnë veten me pakujdesinë e tyre, shpejtojnë të pendohen dhe t’i kërkojnë Allahut falje dhe mëshirë.
Ata i kërkojnë Atij që t’ua mbulojë të metat e tyre dhe gabimet që kanë bërë. Ata nxitojnë të pendohen dhe të kërkojnë falje, sepse ata kujtojnë Allahun e Lartësuar që sheh dhe di gjithçka, kujtojnë kërcënimin e Tij të hapur dhe të qartë për ata që thyejnë porositë e Tij dhe shkelin kufijtë e Tij, kujtojnë premtimet e dashura që Allahu i Lartësuar u ka dhënë të devotshmëve, të cilët i ruajnë kufijtë e Tij.
Të gjitha këto përkujtime bëjnë që ata, me të shpejtë, t’i kërkojnë Allahut falje për gabimet e tyre dhe që t’ua mbulojë të metat dhe turpet e tyre. Ata heqin dorë menjëherë nga ato vepra të këqija, pendohen dhe trishtohen sinqerisht për gjynahet që kanë bërë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
– “Ata nuk vazhdojnë më me atë gjë që kanë bërë më parë, sepse e dinë.” – Pra, nuk vazhdojnë sërish me një gjynah, pasi e kanë mësuar se çfarë gabimi kanë bërë, por vazhdimisht kthehen të penduar tek Allahu dhe i kërkojnë Atij falje dhe udhëzim.