Select Page

– “Dy grupe prej jush gati u sprapsën …” – Kur dy grupet e besimtarëve, përkatësisht nga fiset Benu Seleme dhe Benu Harithe, gati sa nuk dezertuan, Allahu i Lartësuar i forcoi ata dhe u dha durim. Kjo ishte një mirësi e madhe e dhuruar prej Tij. Ajo ishte një mirësi për ato dy fise dhe për të gjithë besimtarët e tjerë, gjë kjo që tregonte përkujdesjen e Tij të posaçme për ta. Prandaj Allahu e thekson këtë fakt shumë të rëndësishëm kur thotë:

– “… por Allahu ishte Kujdestari i tyre …” – Pra, është Allahu Ai që, me butësinë dhe mëshirën e Tij, tregon përkujdesje të veçantë ndaj tyre, duke u dhënë sukses për arritjen e çdo të mire dhe për ruajtjen nga çdo e keqe.  Edhe në këtë rast u shfaq qartë përkujdesja e Tij ndaj besimtarëve.

Kur ata donin të linin fushëbetejën dhe të braktisnin Profetin (a.s.), Allahu i Lartësuar i ruajti ata nga kjo poshtërsi e madhe, sepse në zemrat e tyre kishte iman të fortë dhe Allahu përkujdeset për ata që besojnë, siç thotë në një ajet tjetër: “Allahu është Mbrojtësi (i dashur) i atyre që besojnë dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë. Për ata që nuk besojnë kujdestarë janë shejtanët, të cilët i nxjerrin ata prej drite për t’i futur në errësira. Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” [Bekare, 257].

Pastaj Allahu i Lartësuar vijon të jap një urdhër shumë të rëndësishëm.

– “Prandaj vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët.” – Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na urdhëron për një vepër të zemrës, që quhet ‘teuekkul’, mbështetje. Teuekkul do të thotë: mbështetja e zemrës tek Allahu i Lartësuar për të arritur të mirën dhe për t’i shpëtuar të këqijave dhe çdo gjëje të dëmshme, duke pasur besim të plotë dhe të palëkundur në ndihmën dhe suksesin e dhënë prej Allahut. Mbështetja e adhuruesve tek Allahu i Lartësuar është në varësi të besimit të tyre tek Ai.

Besimtarët janë njerëzit më të denjë që t’i mbështeten Allahut të Lartësuar. Kjo del më e qartë në momentet e vështirësisë ose gjatë luftës, kur ata e ndiejnë më tepër nevojën që t’i mbështeten Zotit të tyre për çlirimin nga e keqja dhe për arritjen e fitores. Besimtarët i mbështeten vetëm Atij, dhe jo tek forca e tyre, që Ai t’u dhurojë fitoren. Ata vërtet japin maksimumin e tyre, por mbështetja dhe shpresa e zemrave të tyre lidhet vetëm me Allahun e Lartësuar, me forcën, pushtetin dhe suksesin e dhuruar prej Tij.

Me këtë mbështetje të sinqertë, ata e meritojnë përkujdesjen e Allahut dhe suksesin e dhuruar prej Tij. Kështu largohen fatkeqësitë dhe kështu vjen çlirimi dhe mirësia.