Select Page

– “Ja, ju i doni ata, ndërsa ata nuk ju duan ju dhe ju i besoni të gjitha librat (kurse ata jo). – Kuptimi: Ju, me pastërtinë tuaj, tregoni mëshirë dhe dashuri për ta, ndërsa ata kurrë nuk mund t’ju duan. Ju i besoni të gjithë librat e shpallur nga Zoti, ndërsa ata nuk e besojnë dhe nuk e respektojnë Librin e zbritur nga Zoti juaj, edhe nëse shfaqen se e besojnë atë para jush.

  “Kur ata ju takojnë, thonë: “Ne kemi besuar.” Por kur veçohen, ata kafshojnë majat e gishtërinjve nga mllefi kundër jush.” – Kuptimi: Ata janë aq të poshtër, saqë para jush shtiren sikur e besojnë Shpalljen tuaj, por kur veçohen me njëri-tjetrin, nga marazi dhe urrejtja e madhe për ju, ata kafshojnë mollëzat e gishtërinjve.

“Thuaju: “Vdisni me mllefin tuaj!” Allahu e di shumë mirë se çfarë mbajnë ata në zemrat e tyre.” – Ky ishte një përgëzim për besimtarët: çdokush që do të mundohet t’i dëmtojë ata, do t’ia bëjë të keqen vetes së tij. Kështu, kuptimi i ajetit është: Me marazin që ata kanë në shpirtin e tyre, kurrë nuk do të jenë në gjendje që t’ju dëmtojnë ju. Mllefi i tyre do të vazhdojë gjithmonë t’i trazojë dhe torturojë zemrat e tyre, derisa t’u vijë vdekja e hidhur, dhe pastaj të kalojnë për të vuajtur të plotë edhe ndëshkimin e përjetshëm të ahiretit.