– “Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.” – Allahu i Lartësuar e lëvdon këtë umet, duke na treguar se është populli më i mirë që Ai ka nxjerrë në jetën e njerëzimit. Por a ka një shkak që i bën ata të tillë? Po, ata e meritojnë këtë gradë, sepse plotësojnë disa kushte mjaft të rëndësishme.
Kështu, ata e përsosin veten e vet duke u pajisur me besim të sinqertë, që i shtyn ata të zbatojnë çdo gjë për të cilën i urdhëron Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij. Ata punojnë, gjithashtu, që të përmirësojnë edhe të tjerët, duke i urdhëruar për të mira dhe duke i ndaluar nga të këqijat. Ata bëjnë të gjitha përpjekjet për t’i ftuar krijesat në rrugën e mëshirës dhe për t’i larguar ata nga rruga e mosbindjes dhe mashtrimit. Me këtë pikësynim, ata luftojnë në rrugën e Allahut me të gjitha mënyrat që mund të luftohet.
Për të gjitha këto cilësi, ata janë populli më i mirë që ka dalë ndonjëherë për të mirën e njerëzimit. Disa ajete më lart, Allahu i Lartësuar i urdhëronte muslimanët që t’i thërrasin të tjerët për tek e mira dhe të ndalojnë nga të këqijat: “Le të dalë nga ju një grup që fton në të mirën, që urdhëron për vepra të mira dhe ndalon nga e keqja. Këta janë të shpëtuarit.” Por i urdhëruari mund ta zbatojë urdhrin ose mund ta shpërfillë dhe braktisë atë. Por në këtë ajet Allahu i Lartësuar na tregon se ky popull e zbaton plotësisht këtë detyrë. Ata e përmbushin urdhrin e Zotit të tyre, prandaj e meritojnë nderimin mbi të gjithë popujt.
– “Sikur ithtarët e Librit të besonin (Islamin), do të ishte shumë më mirë për ta.” – Kjo është një ftesë e bukur dhe me një stil shumë të butë, që ithtarët e Librit të besojnë të vërtetën e sjellë prej Zotit nëpërmjet Muhamedit (a.s). Por jo të gjithë e pranuan këtë ftesë nga i Mëshirshmi:
– “Disa prej tyre bëhen besimtarë (muslimanë), po shumica e tyre janë shkelës së kufijve të Zotit.” – Në fakt, të paktë janë ata që e pranojnë ftesën. Shumica e tyre preferojnë të qëndrojnë në zullumin e tyre, jashtë kufijve dhe urdhrave të Zotit. Ata parapëlqejnë mosbindjen ndaj Profetit të mëshirës dhe armiqësinë me të dashurit e Zotit dhe të zgjedhurit e Tij. Ata përpiqen me të gjitha mënyrat për të dëmtuar të dashurit e Zotit të bindurit ndaj Tij. Por Allahu i Lartësuar është shumë më i dashur dhe i mëshirshëm me të dashurit e Tij, prandaj kurrë nuk do t’i braktisë e t’i lërë viktima të armiqve të tyre. Kurthet e tyre tinzare nuk do t’i dëmtojnë kurrë besimtarët, siç thotë i Lartësuari: