Select Page

– “… Edhe palma të larta hurmash, me vile frutash të vendosura njëra mbi tjetrën, si furnizim për njerëzit.” – Shikoni hurmat e larta, me degët e rënduara nga frutat palë-palë, aq të dobishme për njerëzit dhe kafshët. Njerëzit ushqehen me to që në çastin që i vjelin të freskëta por dhe mundet t’i magazinojnë për më vonë. Me to ushqejnë edhe kafshët e tyre shtëpiake. Nëpërmjet ujit që zbret nga qielli dhe atij që buron nga toka, Allahu krijon lumenjtë, aq të nevojshëm për jetën në tokë. Uji është vërtet jetë, siç thotë i Lartësuari më pas:

“Ne e ngjallim me të (ujin) tokën e vdekur. Kështu do të jetë edhe ringjallja juaj.”   Të gjitha këto krijesa të mrekullueshme, të mëdha dhe të forta, janë një dëshmi e pamohueshme për pushtetin dhe fuqinë absolute të Allahut të Lartësuar. Bukuria dhe rregullsia, përpikmëria dhe hijeshia e tyre tregojnë qartë se Allahu i Lartësuar është më i Urti dhe i Gjithëdituri, për gjithçka dhe në hollësi. Nevoja e madhe që njeriu ka për këto krijesa dëshmon për mëshirën e madhe të Allahut, e cila ka përfshirë gjithçka, dhe për bamirësitë e Tij, që prek çdo gjallesë.

Kjo gjithësi e rregullt dhe madhështore tregon qartë se Allahu i Lartësuar është i Vetëm dhe i Pashoq në pushtetin dhe mbretërimin e Tij. Ai është Es-Samedu – Zotëruesi, Mbretëruesi dhe Ai të Cilit çdo krijesë i drejtohet për nevojat e saj. Është Allahu që nuk ka nevojë të ketë grua dhe fëmijë. Me Allahun nuk barazohet apo përngjason askush. Allahu është i vetmi që meriton adhurimin, me përunjësi, madhërim dhe dashuri. Ringjallja e tokës pas vdekjes së saj është provë që Allahu i Lartësuar ka për t’i ringjallur krijesat pas vdekjes së tyre, për t’i shpërblyer me drejtësi, sipas punëve të tyre.