– “S’ka dyshim se Allahu i di të fshehtat e qiejve e të Tokës.” – Allahu është i Gjithëditur për çështjet e fshehta, që krijesat nuk i dëshmojnë dhe as i dinë. Ai e di çfarë fshihet në thellësitë e errëta të oqeanit, Ai e di çfarë fsheh nata dhe çfarë zbulon dita. Allahu di për çdo pikë shiu, madje edhe ku ajo zbret. Ai di edhe për çdo thërrmijë rëre.
Allahu e di çfarë fshihen në gjokse dhe çdo çështje të fshehtë tjetër, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë.” [El en’am 59].
– “Allahu sheh gjithçka që ju punoni.” – Allahu që ju vështron në çdo gjendje e punë, do t’jua japë shpërblimin për to të plotë, ashtu siç e gjykon Ai, me mëshirën e Tij të gjerë dhe me urtësinë e Tij të madhe. Përfundoi edhe tefsiri i sures Huxhurat, me ndihmën dhe suksesin e dhuruar prej Allahut. Ty, o Allah, dhe vetëm Ty të takon lavdia! Ti je Bujari dhe Bamirësi më i madh e Mëshirëplotë!