Select Page

– “Besimtarë janë vetëm ata që i besojnë Allahut, të Dërguarit e Tij, e pastaj nuk luhaten, por luftojnë me pasurinë dhe me jetën e tyre në Rrugën e Allahut.” – Besimtarë të vërtetë janë ata që plotësojnë dy kushte:

1. Kanë besimin e plotë dhe të sinqertë tek Allahu, që sjell punë të mira dhe largon nga të këqijat.

2. Luftojnë dhe përpiqen në rrugën e Allahut, pasi çdokush që lufton jobesimtarët dëshmon për iman të plotë, që ka zënë vend në zemrën e tij. Ai që lufton për përhapjen e Islamit dhe fton të tjerët për të zbatuar ligjin e Zotit në jetën e tyre, pa dyshim që, së pari, i ka plotësuar këto kërkesa për veten e vet. Ndërsa ai që nuk ka fuqi të luftojë për përhapjen e fesë së Zotit dëshmon për dobësinë e imanit të tij. Duke treguar një kusht të domosdoshëm për një besim të saktë, Allahu i Madhëruar thotë: … e mandej nuk luhaten”. Zemrën dhe veprat e robit i rregullon vetëm besimi i sigurt dhe i patundur në çdo gjë që Zoti ka urdhëruar të besohet, pa pasur as më të voglin dyshim.

“Këta janë besimtarët e vërtetë.” – Të vërtetët janë ata të cilët besimin e tyre e pasqyrojnë me vepra të mira, ashtu si e kërkon besimi i pastër dhe i vërtetë. Vërtetësia e besimit është një pretendim shumë serioz. Në fakt, çdokush që ka një pretendim duhet që ta mbrojë atë me fakte, nëse është i vërtetë. Edhe kur bëhet fjalë për besimin, i cili është porta e lumturisë në dynja dhe në ahiret, jo çdokush që e pretendon, e ka arritur vërtet. Vetëm ai që kryen detyrimet që kërkon besimi, me vepra e fjalë, vetëm ai ka pretendim të pranueshëm ose vetëm ai është besimtar i vërtetë.

Nëse dikush nuk i plotëson këto kushte, atëherë pretendimi i tij se ka besim nuk qëndron. Pretendimi i tij nuk ka asnjë vlerë për krijesat, sepse besimin në zemër e vlerëson veçse Allahu i Madhëruar. Në fakt, pretendimi se ke apo jo besim në zemër është një lloj mungese edukate me Allahun e Lartësuar. A thua se po i mëson Allahut se çfarë ke në zemër! Ky është një mendim i gabuar për Allahun.180 Kështu, i Madhëruari thotë:

180 Dijetarët selefë dhe të tjerë kanë shprehur mendime të ndryshme për rastin kur njeriu deklaron besimin e tij. Disa kanë qenë të mendimit se nuk lejohet të thuash për veten: “Unë jam besimtar”, pa e shoqëruar me: “…në dashtë Allahu” nga pas. Disa deklarojnë se ky ka qenë mendimi i shumicës së dijetarëve filozofë (mutekel-limin) të medhhebit Shafiij. 

Disa të tjerë mendojnë se është e lejueshme të thuash: “Unë jam besimtar” edhe pa thënë nga pas: “…në dashtë Allahu”. Ky është mendimi më i përzgjedhur, që mbështetet edhe nga dijetarët analistë kritikë “muhakkikin”. 

Ndërsa El Euzaijju dhe të tjerë kanë qenë të mendimit se që të dyja mënyrat janë të lejuara, në varësi të këndvështrimit apo të qëllimit. Pra, lejohet të thuash thjesht: “Unë jam besimtar”, nëse ke për qëllim gjendjen aktuale, përderisa konsiderohesh nga Sheriati si “besimtar”. Por, gjithashtu, mund të thuash: “Unë jam besimtar, në dashtë Allahu!”, nëse ke për qëllim lutjen për begati dhe sukses nga Allahu, ose nëse shpreh shpresën për përfundimin tënd, pasi ne nuk e dimë a do të jemi të qëndrueshëm në besimin tonë deri në vdekje apo jo. Edhe ky mendim është i pranueshëm, nëse duam që t’u largohemi sa më shumë përplasjeve të mendimeve.

Për sa i përket deklarimit se dikush është jobesimtar, ka gjithashtu mendime të ndryshme të dijetarëve. Kështu, disa janë të mendimit se mund të thuhet: “Ai është qafir” edhe pa thënë: “…në dashtë Allahu”. Disa të tjerë thonë se me këtë rast veprohet njëlloj si për deklarimin e besimit. Pra, në varësi të qëllimit, mund të themi: “…në dashtë Allahu“, ose jo. Kjo do të thotë që, nëse kemi qëllim të tregojmë se si do të jetë përfundimi i tij, duhet të themi: “…në dashtë Allahu“, pasi ne nuk e dimë se si do të jetë përfundimi i tij. Ky mendim është parapëlqyer nga disa prej dijetarëve muhakkikin. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur për gjithçka. [Shih “Komentari i Sahihut të Muslimit” nga imam Neveviu, vëllimi 1].