Select Page

– “O ju që keni besuar! Largohuni nga paragjykimet! Vërtet paragjykimet (e pabaza) janë padrejtësi.” – Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na ndalon të paragjykojmë e të mendojmë keq për besimtarët, pasi disa paragjykime të tilla janë gjynah. Këtu bëhet fjalë për hamendësimet e pabazuara në fakte, të cilat të shtyjnë më shumë fjalë të këqija e në vepra të padrejta. Nëse në zemër ekzistojnë mendime të këqija, ato nuk mbeten gjatë të tilla, por forcohen dhe e bëjnë bartësin e tyre që të flasë e të veprojë padrejtësisht. Paragjykimet dhe mendimet e këqija për muslimanin janë nxitëse të urrejtjes dhe e përçarjes, ndërkohë që jemi urdhëruar për të kundërtën.

– “Mos rrëmoni për zbulimin e të metave të tjetrit …” – Mos hetoni të zbuloni sekretet dhe intimitetin e muslimanit! Lëreni të qetë muslimanin dhe mos u merrni me çështjet delikate të tij, që nuk duhet të përhapen e të zbulohen.

“… dhe mos përgojoni!”  Përgojimi (gibet), ashtu sikurse e ka përkufizuar Profeti (a.s.), është: “Të thuash rreth vëllait tënd besimtar diçka që ai nuk e dëshiron të përmendet, edhe nëse vërtet e ka atë gjë.” Allahu i Madhëruar bën një krahasim të përgojimit, për të treguar se sa vepër e shëmtuar është:

– “Vallë, a ka ndonjë prej jush që dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht, për ju kjo është e neveritshme.” – Allahu i Lartësuar e ka krahasuar gibet-in me ngrënien e mishit të njeriut të vdekur, që është gjëja më e shëmtuar dhe më e neveritshme nga njeriu. Pra, ashtu sikurse ai e urren që të hajë mishin e njeriut, në mënyrë të veçantë kur është i vdekur, ashtu duhet ta urrejë përgojimin e tij, që, në njëfarë mënyre, është si ta hash mishin e tij për së gjalli!

“Ruhuni nga ndëshkimi i Allahut! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë.” – Allahu është El Teuab, Ai që lejon dhe u jep sukses robërve  të Tij që të pendohen, dhe pastaj ua pranon pendimin. Ai është, gjithashtu, El Rahim – Mëshirëplotë për robërit e Tij. Prej mëshirës së Tij është edhe fakti që Ai i fton e ndihmon ata që të arrijnë më të dobishmen për ta dhe e pranon prej tyre pendimin, kur gabojnë. Ky ajet është një kërcënim i rëndë për ata që merren me përgojim. Ai tregon se përgojimi është gjynah i madh, sepse Allahu e ka krahasuar me ngrënien e mishit të njeriut të vdekur, gjë e cila është e ndaluar dhe prej gjynaheve të mëdha.