Select Page

– “O ju që keni besuar! Nuk është mirë të tallet një popull me një popull tjetër, sepse të tallurit mund të jenë më të mirë nga ata që tallin; as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që ato të jenë më të mira se ato që tallin.” – Edhe ky është një nga detyrimet e ndërsjellta të muslimanëve: ata nuk lejohet të tallen me njëri-tjetrin, qoftë me fjalë apo me vepra e gjeste. Ky është një veprim që Zoti e ka bërë haram. Sjellja e tillë tregon që tallësi ka rënë në vetëkënaqësi. Ndoshta i talluri është më i mirë se tallësi, ashtu siç ndodh në shumicën e rasteve, pasi tallja buron nga zemra që është e mbushur me vese të ulëta. Për këtë, Profeti (a.s.) ka thënë: “I mjafton njeriut si gjynah, përçmimi i vëllait të tij besimtar.”

– “Mos tallni veten tuaj…” – Mos tejkaloni caqet, duke përmendur të metat e njëri-tjetrit! Kjo mund të bëhet me fjalë ose me veprime. Që të dyja janë haram, madje për vepruesin e tyre ka kërcënim për ndëshkim në Zjarr, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Mjerë për atë që tall e përqesh (njerëzinë),” [Humeze 1]. Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë: “Mos tallni veten tuaj!” Pra, vëllai besimtar duhet trajtuar si vetja. Kështu duhet të jenë besimtarët: si një trup i vetëm! Gjithashtu, nëse tall të tjerët, edhe ata do të veprojnë njëlloj me ty, e në këtë rast, njeriu është vetë shkaktar për talljen e vetvetes.

“…e mos i vini njëri-tjetrit nofka tallëse!” – Muslimani nuk duhet ta tallë vëllain e tij duke e thirrur me nofka që ai nuk dëshiron ta thërrasin. Ky veprim është haram. Ndërsa nofkat jo fyese, të cilat njeriu i pranon, nuk hyjnë në këtë ndalesë.

– “Sa e shëmtuar është të vësh nofka tallëse, pasi ke besuar!” – Kthimi pas në injorancë, mosbindje dhe gjynahe, pasi ke besuar dhe ke bërë vepra të mira sipas ligjit të Zotit, është diçka shumë e shëmtuar. Kjo do të thotë që përdorimi i nofkave fyese e tallëse për tjetrin është kthim në injorancën paraislame dhe një vepër e shëmtuar.

– “Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.” – Ky është detyrim i besimtarit musliman. Ai duhet të pendohet tek Allahu i Lartësuar dhe t’i japë hakun vëllait të tij musliman. Ai duhet t’i kërkojë falje vëllait të tij, dhe duhet t’i kërkojë falje Zotit të tij. Gjithashtu, duhet që, nëse e ka ofenduar, sharë dhe mbajtur nëpër gojë për keq vëllain musliman, tani le ta lëvdojë atë dhe të çojë në vend nderin e tij. Nga ky ajet kuptohet se njerëzit ndahen dy grupe: 1. Të padrejtët ndaj vetes, të cilët nuk pendohen për gjynahet e tyre. 2.  Ata që bëjnë gjynahe, por që pendohen për gjynahet e tyre. Këta të fundit përfitojnë mirësinë e shpëtojnë nga çdo e keqe. Nuk ka grup të tretë, veç këtyre.