Select Page

– “Besimtarët janë vëllezër. Prandaj pajtojini vëllezërit tuaj …” – Vëllazëria është një lidhje e fortë dhe e pazgjidhshme, që Zoti ka bërë mes besimtarëve. Çdo njeri në lindje apo perëndim të botës, që e beson drejt Allahun, melekët, librat e Tij, profetët e Tij, Ditën e Gjykimit dhe çdo gjë tjetër që duhet besuar, ai është vëlla i besimtarëve. Për këtë vëllazëri mes tyre, çdo musliman duhet të dëshirojë për vëllain e tij atë që dëshiron për veten e vet dhe të urrejë për vëllain e tij atë që e urren për veten e vet. Prandaj edhe Profeti (a.s.), duke treguar detyrimet e plotësimit të vëllazërisë në besim, thotë: “Mos kini smirë njëri-tjetrin, mos bëni hile ndaj njeri-tjetrit, mos urreni njëri-tjetrin dhe askush të mos bëjë tregti mbi tregtinë e vëllait të tij besimtar! Jini robër të Zotit, vëllezër të njëri-tjetrit!

Besimtari është vëlla i besimtarit! Ai nuk i bën padrejtësi atij, nuk e tradhton, nuk e lë në baltë dhe nuk e përçmon atë.” Profeti (a.s.), gjithashtu, ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa që forcon dhe mban vetveten”, – dhe, duke thënë këtë, ka gërshetuar gishtat. Allahu dhe Profeti i Tij na kanë urdhëruar që të përpiqemi e të punojmë për të kryer detyrimet ndaj besimtarëve dhe çdo gjë tjetër që sjell harmoni, dashuri, dhembshuri e afrimitet mes tyre.

Kështu për shembull, nëse mes disa besimtarëve ndodhin keqkuptime e konflikte, të cilat shkaktojnë urrejtje, përçarje dhe largim zemrash, besimtarët e tjerë janë të urdhëruar që t’i pajtojnë vëllezërit e tyre. Ata duhet të përpiqen me çdo mënyrë, për të larguar urrejtjen dhe përçarjen mes tyre. Pastaj Allahu i Madhëruar urdhëron për devotshmëri, për plotësim të urdhëresave dhe largim nga ndalesat, në emër të dashurisë për Të dhe si bindje, nënshtrim e madhërim të Tij. Nëse ne plotësojmë urdhrin për devotshmëri dhe porosinë për detyrimet ndaj muslimanëve, Allahu i Lartësuar na premton mëshirë. Në fund të ajetit, Ai thotë:

– “… dhe kini frikë Allahun, që të mëshiroheni!” – Nëse të përfshin mëshira e Zotit, ke gjetur gjithë mirësinë e dynjasë dhe të ahiretit. Kjo tregon se shpërfillja e të drejtave të besimtarëve është një nga shkaqet më të mëdha të privimit nga mëshira e Allahut. Nga këto ajete nxirren edhe dobi të tjera:

1. Lufta mes besimtarëve bie ndesh me vëllazërinë e tyre në besim, prandaj konsiderohet si një nga gjynahet më të mëdha.

2. Vëllazëria në Islam nuk asgjësohet tërësisht, edhe nëse mes besimtarëve ka luftë e vrasje. Allahu i Madhëruar i quan ata besimtarë kur thotë: “Nëse dy grupe besimtarësh luftojnë mes njëri-tjetrit…”. Pra, ata vazhdojnë të jenë besimtarë muslimanë dhe mes tyre qëndron ende lidhja e besimit, por ata kanë rënë në një gjynah shumë të madh. Po kështu trajtohet çdo gjynah i madh, poshtë idhujtarisë e mohimit të Zotit: vepruesi i tyre nuk del nga Islami. Vepruesi i gjynaheve, veç shirkut e kufrit, konsiderohet si vëlla në Islam, por është i rrezikuar nga ndëshkimi për gjynahet e tij. Ky është besimi i pasuesve të Traditës profetike dhe i Xhematit.

3.Rregullimi i marrëdhënieve mes muslimanëve dhe pajtimi i tyre, duke respektuar drejtësinë, është detyrë që duhet plotësuar.

4. Në rast konflikti mes muslimanëve është detyrë lufta kundër palës që nuk pranon të ulet në bisedime për vendosjen e drejtësisë sipas ligjit të Zotit dhe porosive të Profetit të Tij, derisa ata të nënshtrohen. Nëse ata gjykojnë jo me ligjin e Zotit, por propozojnë ndonjë zgjidhje e cila nuk mund të pranohet fetarisht, Ajo refuzohet e u kthehet mbrapsht.

5. Ajeti lejon që t’i luftojmë ata muslimanë që nuk shtrohen për të gjykuar sipas ligjit të Zotit në konfliktet e tyre, ndoshta edhe t’i vrasim ata, por nuk na lejohet të prekim gjë prej pasurive të tyre. Pra, edhe pse na është lejuar luftimi e vrasja e tyre, kur e drejta arrihet veçse në këtë mënyrë, përsëri pasuritë e tyre janë të paprekshme, sepse ata vazhdojnë të trajtohen si muslimanë.