Select Page

– “Dijeni se mes jush është i Dërguari i Allahut. Sikur ai t’ju dëgjonte ju në shumë çështje, ju do të rëndoheshit; …” – Allahu i Madhëruar u kujton besimtarëve se mes tyre ishte Profeti (a.s.), i Dërguari besnik i Tij. Ai ishte njeriu bamirës, që dëshironte vetëm të mirën për besimtarët. Ai ishte udhëzuesi në rrugën e drejtë, që frymëzohej nga vetë Allahu.

Ata ndonjëherë mund të dëshironin gjëra që, në fakt, ishin të dëmshme për ta, ndërsa ai dëshironte vetëm të mirën për ata, duke mos i miratuar dëshirat e tyre të dëmshme. Nëse ai do t’u bindej shumë prej kërkesave të tyre, ato do të bëheshin shkak që ata të rëndoheshin dhe çështjet t’u vështirësoheshin. Profeti (a.s.) i udhëzonte në më të mirën dhe më të dobishmen për ata, prandaj besimtarët duhej t’i bindeshin atij.

“… por është Allahu Ai që jua bën të dashur besimin dhe jua zbukuron atë në zemrat tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin, jua bën që t’i urreni.” – Kuptimi: Duke iu bindur Profetit (a.s.), ju keni gjetur udhëzimin e drejtë. Është Allahu Ai që jua bën besimin të dashur dhe të këndshëm për zemrat tuaja. Është Ai që i mbush zemrat tuaja me dashuri për të vërtetën, duke i dhënë asaj përparësi mbi gjithçka tjetër. Ai jua përforcon këtë dashuri me fakte të shumta, që e mbështesin atë.

Allahu ju mundëson që të pendoheni dhe të ktheheni tek Ai të nënshtruar dhe të bindur. Nga ana tjetër, Ai jua ka bërë të urryer kufrin, gjynahet dhe mosbindjen ndaj Tij. Ai futi në zemrat tuaja urrejtjen për ligësinë dhe mosdëshirën për ta vepruar atë. Ai solli argumente të shumta që tregojnë për dëmet e të keqes dhe e orientoi natyrën e pastër njerëzore që të mos e pranojë atë, por ta urrejë e ta trajtojë si diçka të neveritshme.

– “Këta dhe vetëm këta janë të udhëzuarit (në Rrugën e Drejtë). – Këta janë fatlumët, të cilëve Zoti ua bëri imanin të dashur dhe të bukur për zemrat e tyre, ndërsa kufr-in, gjynahet dhe mosbindjen ua bëri të urryera. Këta janë el rashidun, që kanë dituri dhe siguri rreth të vërtetës, si edhe vepra sipas kësaj diturie, me qëllimin e sinqertë vetëm për të fituar kënaqësinë e Krijuesit. Këta janë të përqendruar në fenë e vërtetë dhe nuk i ndahen rrugës së drejtë të Zotit. Të kundërtët e tyre janë el gaun, që iu është bërë i dashur dhe i bukur në zemër kufr-i, gjynahet dhe mosbindja, ashtu si iu është bërë i urryer besimi dhe veprat sipas tij.

Për këtë përmbysje, faji është vetëm i tyre. Kur ata i shkelin kufijtë e Zotit, Ai ua vulos tërësisht zemrat, sikurse thotë i Madhëruari: “Por kur ata devijuan, edhe Allahu ua devijoi zemrat. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull që kalon kufijtë.” [Saff 5]. Kur ata nuk e pranojnë imanin, kur iu prezantohet për herë të parë, Allahu ua rrotullon zemrat për nga humbja. 179 Pastaj Allahu i Madhëruar thotë:

179 Në suren En’am, ajeti 110, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ua rrotullojmë zemrat dhe shikimet e tyre, ashtu sikurse ata nuk e besojnë atë (Kuranin) për herë të parë (kur iu paraqitet), dhe i lëmë ata të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre, që të tejkalojnë kufijtë.”