– “Por nuk marrin gjynah të verbrit, të çalët e të sëmurët.” – Për këto grupe sociale nuk ka gjynah nëse nuk marrin pjesë në xhihad, për arsye të pamundësisë dhe paaftësisë së tyre fizike.
– “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta fusë në kopshtet e Xhenetit, ku rrjedhin lumenj. …” – Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, duke përmbushur urdhëresat e tyre, Allahu do t’i fusë në kopshtet e Xhenetit, në të cilët rrjedhin lumenj. Atje do të kenë gjithçka që ua dëshiron shpirti dhe që ua kënaq sytë.
– “… E kush kthen shpinën, Ai do ta ndëshkojë me një dënim të dhembshëm.” – Ndërsa ata që i kthejnë shpinën bindjes ndaj Zotit dhe Profetit të Tij, i Madhëruari ka për t’i ndëshkuar me një dënim të dhembshëm. Lumturia është e lidhur me bindjen ndaj Allahut dhe Profetit, ndërsa dëshpërimi është rezultat i drejtpërdrejtë i kundërshtimit të tyre.