Select Page

   Më sipër, Allahu i Madhëruar foli për ata të cilët nuk morën pjesë në xhihad së bashku me Profetin (a.s.), dhe për këtë nxorën justifikime të kota. Aq të pafytyrë ishin, saqë po të dilte rasti ku, së bashku me ushtrinë muslimane, të mund të merrnin plaçkë lufte pa bërë luftë, kërkonin që të përfitonin edhe ata. Ata donin të merrnin pjesë thjesht në ndarjen plaçkës e jo të jepnin kontribut në luftë. Por Allahu i Madhëruar, duke dashur të nxjerrë në shesh qëllimet e tyre të ulëta, tha:

  “Atyre beduinëve që ngelën pas, thuaju: “Ju do të thirreni të dilni kundër një populli luftarak e të fuqishëm, që ose do të luftohen, ose do të dorëzohen.”” – Do të vijë dita që, kur Profeti apo ata që do të jenë në vend të tij (si kalifët e drejtë), t’ju thërrasin për luftë kundër një populli të fuqishëm. Populli për të cilin aludohet këtu mund të ishin persët, romakët ose të tjerë si ata, për sa i përket fuqisë ushtarake.

Por kur të ndodhte kjo, para atyre popujve do të ishin vetëm dy mundësi: ose luftë, ose të dorëzoheshin duke pranuar Islamin, pasi për shkak të fuqisë së tyre, ata nuk pranonin të jepnin xhizjen, si alternativë e tretë. Megjithatë, pas fitoreve të muslimanëve, ata e kuptuan se tashmë ishin të pafuqishëm kundrejt muslimanëve, prandaj u ngelën dy mundësitë e tjera: ose të pranonin Islamin, ose të jepnin xhizjen. Kjo qe prova e Allahut të Madhëruar për munafikët, që të shihej si do të vepronin:

  “Nëse i përgjigjeni thirrjes, Allahu do t’ju japë shpërblim të mirë …”. – Nëse do t’i bindeshin thirrjes për luftë, do të fitonin një shpërblim të mirë, të cilin Allahu e ka vendosur për ata që luftojnë në rrugën e Tij. Por, në të kundërt:

“… e nëse nuk dilni, – sikurse nuk dolët edhe më parë, – Ai do t’ju ndëshkojë me një dënim të dhembshëm”.”– Nëse do të vepronin sikurse më parë, duke i bërë bisht ftesës së Profetit për të luftuar në rrugën e Zotit, atëherë i priste një ndëshkim i dhembshëm. Ky ajet është edhe vlerësim i lartë i kalifëve të drejtë pas Profetit (a.s.), të cilët udhëhoqën luftën kundër fuqive të mëdha të asaj kohe, si Persia, Roma etj. Ai tregon se bindja ndaj urdhrit të tyre për luftë ishte e detyrueshme. Pastaj Allahu i Madhëruar na bën të ditur kategoritë që lejohen të mos marrin pjesë në xhihad: