Select Page

“Kur ju të shkoni për të mbledhur plaçkën e luftës, ata që ngelën pas, do të thonë: “Na lini të vijmë edhe ne me ju!”” – Pasi përshkroi gjendjen e përbuzur dhe të dënueshme të njerëzve që nuk morën pjesë në luftë me Profetin (a.s.), Allahu i Madhëruar na tregon një prej mënyrave me të cilën ata u ndëshkuan që në dynja. Kur Profeti (a.s.) dhe shokët e tij, me mirësinë e Zotit, fituan plaçkë lufte pa zhvilluar asnjë betejë dhe shkuan për ta marrë atë, këta të mjerë kërkuan që të merrnin ndonjë pjesë, duke thënë: “Na lejoni të vijmë edhe ne me ju, që të marrim nga plaçka luftës!”

Kështu ata donin të ndryshonin gjykimin e Allahut rreth plaçkës së luftës dhe atyre që e meritojnë atë. Allahu i Madhëruar kishte vendosur që këtyre të mos u jepej gjë nga plaçka e luftës, si ndëshkim për ta, por ta përfitonin vetëm besimtarët e vërtetë. Ky qe caktimi i Zotit dhe ligji i Tij.

“Kështu, ata duan të ndryshojnë urdhrin e Allahut. Ti thuaju: “Kurrsesi! Ju nuk keni për të ardhur me ne. Kështu ka thënë Allahu më herët.”” – Thuaju atyre: “Kurrë nuk keni për të ardhur! Ju jeni të privuar nga ky nder, sepse ia bëtë vetes padrejtësinë duke mos marrë pjesë në luftë, kur u ftuat të bashkoheshit me ne.”

– “Kurse ata do t’ju thonë: “Nuk është ashtu. Ju na keni zili.” Por ata mendojnë shumë pak.” – Kur atyre iu përcoll gjykimi i Allahut, që ishte ndëshkim për ta, si përgjigje thanë: “Ju na keni zili! Nga zilia juaj, nuk doni që të marrim pjesë me ju në plaçkën e luftës!” Ja, deri këtu arriti logjika e tyre në këtë çëshje. Nëse do të logjikonin drejt, do ta kuptonin se ata u privuan nga plaçka e luftës për shkak të mosbindjes së tyre. Do ta kuptonin se mosbindja sjell ndëshkime në dynja dhe në ahiret.