Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar flet për të ashtuquajturën “Bejatul Riduan” ose “Besëlidhja e Kënaqësisë së Allahut”, kur Profeti (a.s.) mori besën e sahabëve që ata nuk do ta tradhtonin kurrë. Ajo qe një besëlidhje shumë e veçantë, sepse kërkonte nga sahabët që të mos e braktisnin kurrë Profetin (a.s.) gjatë luftës, madje edhe në rastet kur largimi nga lufta është i lejueshëm. Ata do të qëndronin me të në çdo situatë, deri në vdekje. Kështu, Allahu i Madhëruar na tregon:
– “Ata që të japin besën ty, në të vërtetë i japin besën Allahut.” – Kuptimi: Ata të cilët lidhin besë me ty, o i Dërguar, në të vërtetë lidhin besë me Allahun e Madhëruar! Për ta përforcuar edhe më shumë rëndësinë e kësaj besëlidhjeje në zemrat e besimtarëve, Allahu i Madhëruar tha:
– “Dora e Allahut është mbi duart e tyre.” – Kjo është një besë e lidhur dorë më dorë me vetë Allahun. Kjo është thënë për të theksuar rëndësinë e madhe të kësaj besëlidhje dhe për t’i nxitur besimtarët që t’i përmbaheshin asaj me çdo kusht. Madje, për t’ia shtuar peshën edhe më shumë, Allahu i Madhëruar thotë:
– “Kush e shkel besën, e shkel vetëm në dëm të vetes, …” – Ai që nuk e çon në vend besën që i ka dhënë Allahut, ka dëmtuar vetveten, sepse ndëshkimin e Tij nuk mund ta pengojë asgjë. Ndërsa për ata që do t’i përmbaheshin besës me përpikmëri, Allahu i Madhëruar thotë:
– “… ndërsa kush e mban besën që i ka dhënë Allahut, Ai (Allahu) ka për t’i dhënë shpërblim të madh.” – Askush nuk e di dhe nuk mund ta përshkruajë madhësinë e këtij shpërblimi, përveç Allahut, që e dhuroi, duke ua mundësuar besimtarëve që ta arrijnë.