– “Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës.” – Allahu i Madhëruar e përsërit këtë të vërtetë, për ta përforcuar faktin se vetëm Atij i takon pushteti e sundimi i qiejve, i Tokës e gjithçka mes tyre. Nën sundimin e Tij janë të gjitha ushtritë dhe Ai do t’i ndihmojë gjithmonë ata që luftojnë për të lartësuar fenë dhe fjalën e Tij.
Askush nuk mund t’i mposhtë ushtarët e Zotit, besimtarët e sinqertë të Tij, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Tashmë, Fjala Jonë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar, se ata, pa dyshim do të ndihmohen (nga Ne) dhe se Forcat Tona – ato me siguri do të jenë ngadhënjimtare.” [Saffat 171 – 173].
– “Allahu është Ngadhënjimtari e i Urti.”– E si mund të fitojë kush kundër ushtrisë së Allahut, që është El Aziz – Ngadhënjimtari, i Fuqishmi, Krenari e Nënshtruesi i gjithçkaje?! Por Ai është edhe El Hakim – i Urti, që çdo gjë e ka krijuar me një funksion e qëllim, sipas urtësisë së Tij.