– “Ai (Allahu) do t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, të cilët kanë për Allahun mendime të këqia. Ata meritojnë më të keqen. – Ndërsa për munafikët dhe munafiket, idhujtarët dhe idhujtaret, ky sukses i muslimanëve ishte trishtim i madh. Qëllimi i tyre ishte dëmtimi i muslimanëve dhe zhdukja e Islamit, duke menduar se Allahu nuk do ta ndihmonte fenë e Tij dhe nuk do ta bënte të triumfonte.
Ky qe mendim shumë i gabuar për Allahun. Ata e përkeqësuan mendimin për të Madhëruarin e të Urtin edhe më shumë, kur planifikuan që të mposhtnin pasuesit e të vërtetës. Por Allahu i Madhëruar dhe i Plotfuqishëm ua shkatërroi dhe ua ktheu mbrapsht planet e tyre të dështuara. Përveç kësaj:
– “Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe u ka bërë gati Xhehenemin, që është vendi më i keq.” – Për shkak të armiqësisë dhe luftës së tyre kundër të vërtetës dhe ithtarëve të saj, mbi ta goditi ashpër zemërimi i Zotit. Ai i mallkoi dhe i largoi nga mëshira e Tij. Ata i pret Xhehenemi, që është përgatitur si vendqëndrim i përhershëm për çdo mohues, kundërshtues dhe armik të së vërtetës.