Select Page

  Allahu i Madhëruar na tregon për disa besimtarë, të cilët, duke u nxituar, kërkojnë të marrin përsipër detyrime, plotësimi i të cilave është i vështirë.

– “Disa besimtarë thonë: “Sikur të ishte shpallur një sure (për luftën)!”” – Besimtarët kërkonin dhe dëshironin që të shpallej ndonjë sure, ku të bëhej e detyruar lufta.

  “Por kur shpallet ndonjë sure e qartë që flet për luftë, ata që kanë zemra të sëmura, të shikojnë sikur të ishin në agoninë e vdekjes.” – Kuptimi: Kur zbret surja që e bën të pakthyeshme luftën, e cila është gjëja më e vështirë për shpirtin e njeriut, ata me iman të dobët tërhiqen dhe nuk qëndrojnë si burrat, për ta plotësuar këtë detyrim. I Madhëruari thotë: “…të shikojnë sikur të ishin në agoninë e vdekjes.” Kur dëgjojnë urdhrin për luftë, nga frika e madhe e vdekjes, ata shikojnë njëlloj si ai njeriu të cilit i bie të fikët para vdekjes.

Kjo pjesë i ngjan ajetit tjetër, ku Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk i ke parë (o Muhamed) ata të cilët u porositën: “Largoni duart tuaja prej luftës, faleni namazin dhe jepeni zekatin!?” Por kur iu bë detyrim lufta, një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve ashtu si duhet t’i frikësohesh Allahut, madje edhe më shumë. Ata thanë: “O Zoti ynë! Pse na e bëre detyrim luftën? Sikur të na e kishe shtyrë pak më vonë!” Thuaju: “Kënaqësitë e kësaj bote janë të pakta;Bota tjetër është shumë më e mirë për ata që janë të devotshëm. Juve nuk do t’ju bëhet padrejtësi aspak.” [Nisa 77]. Më pas, duke i edukuar dhe udhëzuar besimtarët në më të mirën, Allahu i Madhëruar thotë:

– “Më të volitshme për ta do të ishin bindja dhe fjala e mirë!” – Është më mirë për ta që t’i zbatojnë me korrektësi urdhrat aktualë dhe të mos kërkojnë urdhra të tjerë, me të cilët Zoti nuk i ka ngarkuar. Le të grumbullojnë dhe shpenzojnë të gjitha fuqitë e tyre në zbatimin e porosive, që tashmë i kanë marrë. Më mirë të mos nxitohen, duke kërkuar nga Allahu detyrime, që ndoshta do ta kenë të vështirë t’i plotësojnë. Le të kënaqen me faljen dhe mëshirën e Allahut të Madhëruar, me lehtësinë dhe thjeshtësinë e gjithçkaje që Ai ofron.

– “Por, kur merret vendimi (për luftë), do të ishte më mirë për ata që të jenë besnikë ndaj Allahut.” – Kur t’u vijë nga Allahu urdhri i prerë për të luftuar, është më mirë të tregohen të sinqertë në kërkimin e ndihmës dhe forcës nga Allahu për përmbushjen e urdhrit të Tij, por edhe duke dhënë maksimumin e mundësive të tyre. Kjo është më mirë për ta, sesa ta kërkojnë vetë zbritjen e urdhrit për luftë. Kjo ka arsyet e veta, disa prej të cilave do t’i rendisim më poshtë:

1. Robi është i mangët dhe i dobët në çdo aspekt. Ai nuk ka mundësi ta arrijë suksesin vetë, nëse Zoti nuk e ndihmon dhe nuk i jep forcë. Kështu që ai nuk duhet të kërkojë detyra shtesë, mbi ato që është ngarkuar dhe është duke kryer.

2. Nëse robi lidhet shumë me të ardhmen, atëherë do të dobësohet në lidhje me plotësimin e detyrave të së tashmes, madje edhe në lidhje me detyrimet për të ardhmen. Në lidhje me detyrimet e së tashmes, ai do të dobësohet, sepse qëllimet e tij nuk janë të fokusuara tek e tashmja, ndërkohë që niveli i punës së njeriut varet shumë nga qëllimet e tij. Ndërsa në lidhje me të ardhmen, dobësimi ndodh zakonisht sepse ajo që pritet të vijë kërkon kohë, por me kalimin e kohës, qëllimi fillon e zbehet. Kështu, kur i vjen koha, ai nuk është më në nivelin e tij të duhur.

3. Ai që mendon vetëm për të ardhmen, pa i dhënë hakun të tashmes, thjesht është një ëndërrimtar, që pandeh se ka fuqi të arrijë gjithçka, por tregohet i paaftë edhe për gjërat që i ka në dorë. Ai që nuk është i zoti të përmbushë detyrimet e kohës është i destinuar të mos plotësojë asnjë përgjegjësi të së ardhmes. Kësisoj, për njeriun është më mirë që t’i mbledhë forcat për të realizuar detyrat e së tashmes, dhe kjo nuk e pengon aspak në përgatitjet për të ardhmen.

Madje, nëse ai është gjithmonë aktiv në plotësimin e përgjegjësive të kohës, vullneti i tij mbetet i lartë. Në këtë mënyrë, kur të vijë koha e veprimeve të planifikuara, ai – ashtu siç bën gjithmonë – do t’i realizojë ato në formën më të mirë dhe më të plotë të mundshme. Një njeri i tillë e meriton gjithmonë të jetë i suksesshëm në të gjitha çështjet e tij. Pastaj i Madhëruari flet për ata që mohojnë dhe për fundin e keq të tyre: