– “Ja përshkrimi i Xhenetit, i cili u është premtuar të devotshmëve: …” – Ja si është Xheneti, të cilin Zoti e ka përgatitur për besimtarët që i ruhen ndëshkimit të Tij dhe kërkojnë kënaqësinë e Tij, duke zbatuar detyrimet dhe duke iu larguar harameve.
– “… Në të ka lumenj me ujë gjithmonë të pastër e të freskët, …” – Ky ujë nuk prishet dhe nuk e ndryshon shijen apo aromën e tij. Ai nuk turbullohet, por është gjithmonë kristal, i freskët dhe shumë i dashur për ata që e pinë. Ai është uji me shijen dhe aromën më të këndshme. Ai është uji që fal kënaqësinë më të madhe për ata që e pinë.
– “… lumenj me qumësht që nuk prishet …” – Ai qumësht nuk thartohet apo prishet, por qëndron i freskët dhe i shijshëm.
– “… lumenj me verë të këndshme për ata që pinë …” – Ai që e shijon këtë lloj vere ndien kënaqësi të pakrahasueshme. Ajo nuk është si vera e kësaj dynjaje, që ka shije të keqe dhe sjell dhimbje koke e marrje mendsh.
– “… dhe lumenj me mjaltë të kulluar.” – Mjalti është i kulluar, pra, i pastër nga çdo mbeturine dylli apo substancë tjetër.
– “Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash...” – Atje do të kenë pemë hurmash, rrushi, molle, shege, qitro, ullinj e fruta të tjera, të cilat kanë shembull të tyre në dynja ose jo. Këto janë mirësi, që ata i përfitojnë nga bujaria e Zotit të tyre.
– “… dhe do të jenë të falur nga Zoti i tyre.” – Me faljen e Zotit, ata shpëtojnë dhe janë të sigurt nga çdo gjë që u shkakton frikë e trishtim.
– “A mund të konsiderohen këta njëlloj me ata që do të rrinë përgjithmonë në Zjarr, ku etja do t’u shuhet me ujë të valë, që ua copëton zorrët?!” – Cilët janë në gjendje më të mirë: këta fatlumët apo ata që do të jenë përjetë në zjarrin e Xhehenemit, nxehtësia e të cilit është e padurueshme. Atje do t’u jepet për të pirë ujë i nxehtë e i valuar, i cili ua copëton zorrët dhe të brendshmet e tyre. I Lartësuar dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu, që bëri dallime mes të mirëve dhe të këqijve, mes shpërblimeve të secilës palë dhe mes Xhenetit e Xhehenemit!