– “E si ti udhëzojë Allahu ata që mohojnë pasi kanë besuar njëherë, kanë dëshmuar se Profeti është i vërtetë dhe u kanë ardhur Argumente të Qarta?!” – Kjo është vërtet e pamundur. Allahu nuk do ta udhëzonte kurrë një popull me të tilla cilësi e vepra. Allahu i Lartësuar i përshkruan kështu cilësitë e të dëshpëruarve, të cilët nuk i kap mëshira dhe udhëzimi i Tij:
1. Ata mohojnë, pasi kanë besuar njëherë. Kështu, ata mohojnë duke parapëlqyer mohimin mbi besimin.
2. Ata kanë dëshmuar në fillim se Profeti është i vërtetë. Pra, ata mohojnë pasi kanë dëshmuar me dije dhe bindje se Profeti është vërtet prej Allahut.
3. Atyre u kanë ardhur njëherë argumente të qarta. Kështu, ata mohojnë pasi i kanë parë argumentet dhe mrekullitë e qarta me të cilat Allahu e pajisi Profetin e Tij.
– “Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë një popull të padrejtë.” – Këta e meritojnë të quhen “të padrejtë”, sepse padrejtësia e tyre është kulmore. Ata e mohojnë të vërtetën pasi e kanë njohur dhe besuar atë. Ata ndjekin rrugën e humbjes, duke qenë të bindur për kotësinë e saj. Kështu, ata tregohen të padrejtë, arrogantë dhe pasues të epsheve të tyre në përzgjedhjen që bëjnë. E si mund t’u jepet sukses të tillëve që të pasojnë udhën e drejtë?!
Të vetmit për të cilët mund të shpresohet udhëzimi janë ata që nuk e njohin të vërtetën dhe përpiqen sinqerisht për ta gjetur atë. Pa dyshim që, të tillë njerëzve, Allahu i Lartësuar do t’ua lehtësojë rrugën e udhëzimit dhe do t’i ruajë nga çdo gjë që i pengon prej saj. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon rreth ndëshkimeve që i presin të padrejtët në këtë jetë dhe në jetën tjetër: