Select Page

– “Me të vërtetë, një grup prej tyre e shtrembërojnë Librin me gjuhën e tyre, …” – Allahu i Lartësuar na tregon se prej ithtarëve të Librit ka nga ata që i shtrembërojnë e i ndryshojnë fjalët e Librit hyjnor me gjuhën e tyre, duke u dhënë fjalëve tjetër kuptim nga ai i vërteti. Pra, këtu nënkuptohet tjetërsimi i vetë fjalëve të Librit dhe i kuptimit të tyre.

Qëllimi i një libri është ruajtja në origjinalitet i fjalëve që gjenden në të, pa i ndryshuar ato dhe kuptimin e saktë të tyre, si dhe mësimi i të tjerëve dhe njohja e tyre me këto kuptime. Por ky grup prej ithtarëve të Librit veprojnë krejt ndryshe. Ata u japin njerëzve të kuptojnë prej Librit jo atë që duhet kuptuar prej tij. Ata e ndryshojnë përmbajtjen e tij ose duke ndryshuar fjalët, ose duke ndryshuar kuptimin e tyre.

– “… që ju të mendoni se ato (fjalë) janë prej Librit, por ato nuk janë prej Librit.” – Ata i shtrembërojnë gjuhët e tyre në mënyrë të tillë, që ju të kuptoni prej Librit diçka të pavërtetë. Kështu, tërthorazi, ata iu bëjnë të mendoni se kuptimi i Librit është ai që thonë ata, por, në të vërtetë, ai nuk është aspak kuptimi i saktë i Librit të Zotit, por është mashtrim nga ana e tyre, është ajo çka ata duan që të kuptojnë dhe të japin të kuptohet.

– “Ata thonë: “Këto (fjalë) janë prej Allahut”. Por ato nuk janë prej Allahut.” – Kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë te Libri i Zotit. Ata thonë fjalë nga vetja e tyre dhe ua përcjellin të tjerëve si të ishin fjalë të Zotit ose pjesë të Librit të Zotit.

– “Ata thonë gënjeshtra për Allahun, duke e ditur.” – Ata trillojnë gjithçka  për Allahun dhe janë të vetëdijshëm për këtë padrejtësi. Ata e dinë shumë mirë që ky është mashtrim. Kjo vepër, në fakt, është shumë më e keqe sesa të flasësh rreth Allahut dhe Librit të tij pa patur dije. Kështu, ata mbledhin shumë të këqija në veprat e tyre, si:

– ata fshehin dhe mohojnë kuptimin e vërtetë të Librit të Zotit;

– ata i japin Librit të Zotit kuptime të gënjeshtërta e të pabaza;

– tekstet që tregojnë kuptime të vërteta dhe të drejta ata i përdorin për të argumentuar kuptimet e tyre të kota dhe të padrejta. Më e keqja nga të gjitha është se këto veprime ata i kryejnë me vetëdije të plotë.