Select Page

Ha, Mim. Ajn, Sin, Kaf. Kështu të jep shpalljen ty, – ashtu si atyre që ishin para teje, – Allahu, Ngadhënjimtari, i Urti. ” – Allahu i Lartësuar na tregon se Ai ia shpalli Kur’anin madhështor Profetit të Tij të zgjedhur, ashtu sikurse u shpalli edhe profetëve të tjerë para tij. Kështu, këtu shprehet mirësia e madhe që Allahu i Lartësuar i ka dhuruar njerëzimit me shpalljet e librave të shenjtë në mënyrë të vazhdueshme dhe me dërgimin e profetëve. Po ashtu, Allahu i Lartësuar na tregon se Muhamedi (a.s.) nuk qe i pari njeri që u zgjodh si profet. Tradita dhe gjendja e tij i përngjajnë traditës dhe gjendjes së të dërguarve paraardhës. Edhe Shpallja të cilën ai e përcolli prej Zotit të tij është e ngjashme me atë çka sollën edhe profetët para tij. Të gjitha shpalljet e Zotit janë të vërteta dhe të mbushura me mirësi, vërtetësi dhe drejtësi. Ato janë të tilla, sepse janë shpallje nga Ai që ka cilësitë absolute, si i vetmi i Adhuruar në qiell dhe në tokë, me fuqi, pushtet, krenari  dhe urtësi të pakrahasueshme.