Select Page

– “Atyre që të kundërshtojnë ty në çështjen e tij (Isait), pasi të është bërë e ditur e vërteta, …” – Allahu i Lartësuar i bën të ditur Profetit (a.s.) se, pas ardhjes së argumenteve të qarta, çdokush që polemizonte me të rreth çështjes së Isait (a.s.), duke pretenduar se ai (Isai) ishte i barabartë me vetë Allahun, është i padrejtë dhe kryeneç, që mohon të vërtetën. Allahu na ka treguar se Isai (a.s.) ishte një prej krijesave të Tij, adhurues i sinqertë dhe Profet nga më të nderuarit dhe të zgjedhurit.

Me njerëzit të cilët e shpërfillin të vërtetën e ardhur prej Zotit nuk vlen më diskutimi dhe argumentimi, sepse ata nuk diskutojnë për të arritur të vërtetën, por thjesht për të kundërshtuar e për të treguar veten. Nga diskutime të tilla nuk përfiton askush, prandaj Allahu i Lartësuar na ka udhëzuar që të ndjekim një tjetër rrugë me kësi njerëzish.

  “… thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju …” – Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që t’i ftonte ata arrogantë në një sfidë të hapur, që quhet mubâheleh. Mubâheleh do të thotë: grumbullimi i dy grupeve kundërshtare në një vend, që të lusin Allahun e Lartësuar që ta mallkojë dhe ta ndëshkojë atë grup që është gënjeshtar në pretendimin e tij. Të dyja palët duhet të marrin me vete fëmijët, gratë dhe njerëzit më të dashur të tyre.

– “… dhe të lutemi për mallkimin e Allahut mbi gënjeshtarët.”. – Profeti (a.s.) i ftoi ata në një procedurë të tillë, pasi ata nuk pranuan argumentimin dhe faktet e qarta të sjella prej tij. Por ata nuk e pranuan këtë sfidë të Profetit (a.s.). E si mund të pranonin një sfidë të tillë, kur e dinin se kjo do të thoshte që të shfaroseshin totalisht me gjithë familjet e tyre, duke u ndëshkuar kështu që në këtë jetë! Ata pranuan që të qëndronin në fenë e tyre, edhe pse ishin të sigurt për kotësinë e saj. Një sjellje e tillë dëshmon për poshtërsinë dhe motivin e sëmurë që fshihej brenda zemrave të tyre. Për këtë arsye, i Madhëruari thotë:

Por, nëse ata refuzojnë (besimin e drejtë), atëherë Allahu di gjithçka për ata që përhapin shkatërrimin.”  Allahu e dinte  shumë mirë se çfarë fshihnin në zemër ata përhapës të shkatërrimit në tokë, prandaj do t’i ndëshkojë ata ashtu sikurse e meritojnë.