Select Page

E, kur e godet njeriun ndonjë e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu kthyer Atij me pendesë. Allahu i Madhëruar na njofton për mirësitë e shumta që Ai i dhuron robit dhe kujdesin e madh që tregon për të, edhe pse robi tregohet mosmirënjohës. Kur njeriun e kap ndonjë fatkeqësi ose sprovë, si sëmundje, varfëri apo kur gjendet në vështirësi në det ose kudo, e di mirë se nga kjo gjendje mund ta nxjerrë veçse Allahu i Lavdëruar.

Për këtë arsye, ai i lutet me përgjërim veçse Allahut, duke i shfaqur pendimin e sinqertë dhe duke i kërkuar me ngulm e përunjësi që ta shpëtojë dhe t’ia largojë atë fatkeqësi që e ka kapur.

Por, kur Ai (Allahu) i jep ndonjë të mirë, njeriu harron se më parë i është lutur Atij … – Kur Allahu ia largon atë vështirësi, me bujarinë dhe mirësinë e Tij, njeriu harron se më parë i është lutur Atij. Madje, ai largohet dhe i kthen shpinën Zotit, a thua se kurrë nuk i ka ndodhur ajo fatkeqësi. Kështu vazhdon në idhujtarinë e tij dhe shpërfill mirësinë e Allahut.

“… dhe i përshkruan shokë Allahut e kështu, i largon të tjerët nga rruga e Allahut. – Ai largon veten nga rruga e drejtë, por largon dhe të tjerët, sepse është i devijuari ai që të devijon. Thuaji këtyre mosmirënjohësve, që i përgjigjen mirësisë së Allahut me mosbesim dhe mosmirënjohje:

Thuaj: “Kënaqu për pak kohë me mohimin tënd, se ti pa dyshim je nga banorët e Zjarrit!” – Ato kënaqësi nuk kanë për të të hyrë në punë kur të jesh në zjarr, siç thotë i Lavdëruari në një jet tjetër: “Por edhe nëse Ne i lëmë të jetojnë (këtë jetë) për pak vjet, prapë do t’u vijë në fund dënimi që u është premtuar. Dhe për çfarë do t’u vlejë atyre ajo jetë që gëzuan?[Shuara 205 – 207].