– “Jemi Ne që ta shpallëm ty Librin me të Vërtetën (e sigurt).“ – Ky është libër në të cilin u tregua dhe ndriçua e vërteta e sigurt dhe në të nuk ka asnjë dyshim dhe pasiguri. Nëpërmjet të vërtetës, krijesat do të shpëtojnë dhe nxirren nga errësirat në dritë. Lajmet e sjella në të janë të vërteta dhe të sigurta, ndërsa ligjet dhe dispozitat janë të drejta dhe plot mirësi e bekime. Çdo kumt i sjellë në të përmban të vërtetën më të lartë. Çdo udhëzim i tij të drejton në qëllimet më të larta dhe mirësinë e të dy botëve. E çfarë mund të presësh pas të vërtetës, veç humbjes dhe errësirës? Kur’ani është drita dhe e vërteta dhe çdo gjë që bie ndesh me të është errësirë dhe humbje.
– “Prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!“ – Duke qenë se ky libër zbriti nga Ai që është Zoti i vërtetë, duke qenë se përmban kumte të vërteta për të udhëzuar dhe ndriçuar rrugën e krijesave dhe duke qenë se iu dha më të mirit të krijesave, Muhamedit (a.s), atëherë ai është një mirësi dhe bekim i pashembullt, që duhet vlerësuar dhe respektuar shumë, me mirënjohje dhe përunjësi. Kjo bëhet veçse me një mënyrë, që nuk pranon ndryshim: sinqeritet i plotë në zbatimin e fesë së Zotit të kumtuar në këtë libër. I Madhëruari thotë: “Prandaj adhuroje Allahun, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!”
Përkushtoji Allahut të gjitha adhurimet dhe zbatimin e kësaj feje, që e zbriti për ty, qofshin ato ligje dhe dispozita që lidhen me veprat e jashtme dhe të shfaqura dukshëm, qofshin çështjet e besimit dhe punët e zemrës dhe të shpirtit. Me fjalë të tjera, ajo që kërkohet është plotësimi i të gjitha gradave të besimit: islamin, imanin dhe ihsanin.156 Mirënjohësi e beson dhe dëshmon se i vetmi i Adhuruar me meritë është Allahu, që adhurohet sipas asaj që Ai e ka shpallur në këtë libër. Të gjitha adhurimet bëhen veçse për të kënaqur Zotin. Kjo është mënyra për t’i treguar mirënjohjen për këtë libër madhështor që na dhuroi. Të tilla çështje vijnë të shtjelluara në ajetet në vazhdim. Allahu i Madhëruar thotë:
156 “El îmânu dhe el islâmu: Të përbashkëtat dhe veçoritë e tyre.
Imam Neueuiju në sherh-un e “Sahihut të Muslimit”, në lidhje më këtë çështje, thotë: “Dijetarët e parë dhe të mëvonshëm kanë folur gjerë e gjatë për këto çështje. Unë do të përpiqem që t’i sjell shkurtimisht dhe në mënyrë të përmbledhur ato, që të bëhet e mundur të kuptohet kjo temë.
Imam Ebu Sulejman Ahmed Ibnu Muhamed Ibnu Ibrahim el Hattabij el Bustij, gjuhëtari, letrari dhe juristi i madh i medhhebit Shafi’ij, analisti dhe kritiku i shquar, ka thënë në librin e tij: “Meâlimus-sunen”: “Sa të shumta janë gabimet që bëjnë njerëzit në të tilla çështje. Për sa i përket Zuhrijut, ai ka thënë: “ El Islâmu” është “fjala”, ndërsa “ El Imânu” është “puna”. Ai argumenton me ajetin: “Beduinët thanë: “Ne kemi besuar! (el îmân)” Thuaj: “Ju nuk keni besuar ende, por thoni: Ne jemi dorëzuar (el islâm), e ende nuk po ju hyn besimi në zemrat tuaja. E nëse e respektoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Ai nuk ju pakëson asgjë nga veprat tuaja, se Allahu është Falës i Madh dhe shumë Mëshirues”. [Huxhurat 14].
Ndërsa të tjerë janë të mendimit se islami dhe imani janë e njëjta gjë. Këta argumentohen me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne nxorëm (i larguam) çdonjë që ishte aty nga besimtarët (el îmân). Po nuk gjetëm aty veçse një shtëpi muslimane (el islâm). [Dharijat 35-36]
El Hattabiju thotë: “Metoda dhe rruga më e saktë në trajtimin e kësaj çështjeje është që, kur të flasim për imanin dhe islamin, të bëjmë përkufizime të specifikuara, jo gjithëpërfshirëse, sepse një muslim (i pajisur me islâm), në disa raste mund të jetë mu’min (i pajisur me iman të plotë) dhe në disa të tjera mund të mos jetë mu’min. Ndërsa mu’mini (i pajisur me îmân të plotë) gjithmonë gjykohet se është muslim (pra i pajisur me islâm). Pra, mund të themi se: çdo mu’min është muslim dhe jo çdo muslim është mu’min.
Nëse i kupton këto dy nocione (muslim dhe mu’min) në mënyrën që e përmendëm, edhe ajetet do të mund t’i kuptosh në harmoni me njëra-tjetrën. Me këtë mënyrë të kuptuari do të interpretosh drejt ajetet dhe do të largohet çdo keqkuptim mbi to. Themeli i imanit është i ashtuquajturi et–taŝdîķ (pohimi dhe pranimi i diçkaje me zemër në mënyrë të sigurt) ndërsa themeli i islamit është i ashtuquajturi Istislâm dhe inķijâd (dorëzim i jashtëm, nënshtrim i plotë).
Ka mundësi që dikush të jetë i dorëzuar nga pamja e jashtme, por jo i dorëzuar e nënshtruar nga brenda (në zemrën e tij). Ai mund të jetë ŝâdiķan – i sigurt, duke pohuar e pranuar gjithçka në zemrën e tij, por nuk është i nënshtruar dhe i dorëzuar nga ana e jashtme (si Iblisi).
El Hattabiju, duke shpjeguar fjalën e Profetit a.s: “El îmânu është 70 e ca degëzime….”, thotë: “Ky hadith tregon se “El îmânu” në kuptimin e përdorur e të sjellë nga Sheriati, përfaqëson një emër me kuptim shumë të gjerë dhe me degëzime e pjesë të shumta, mes të cilave ka pjesë që konsiderohen si më të rëndësishme, por ka edhe të tjera që janë të një grade më të vogël. Por emërtimin “el Iman” e meritojnë qoftë pjesët e tij me vete, qoftë tërësia e përbërë nga këto pjesë; të gjitha meritojnë të quhen iman. Por kur nënkuptojmë “el îmân el mutlaķ”, imanin e vërtetë e të plotë, kjo presupozon që në këtë emërtim të bëjnë pjesë të gjitha pjesët e tij, pa përjashtim.
Një shembull i njëjtë me të është shembulli i namazit. Namazi me kuptimin e sjellë nga Sheriati, pra, në terminologjinë e Sheriatit, është një tërësi e përbërë nga pjesë dhe seksione të ndryshme. Secila prej tyre meriton të emërtohet me emrin “namaz” (pra, qëndrimi në këmbë, rukuja, sexhdet etj). Ndërsa fjala ‘namaz’ me kuptimin e saj të plotë, të tërësishëm, nënkupton tërësinë e të gjitha veprimeve, fjalëve dhe pjesëve së bashku. Në këtë hadith përmendet se “…. edhe turpi është (pjesë) prej imanit. Në këtë hadith tregohet se gradat e imanit dhe të atyre që janë pajisur me të janë të ndryshme, në varësi të pjesëve që kanë arritur të konkretizojnë dhe të plotësojnë prej të emërtuarit me këtë emër, që është “el iman”.” Këtu përfundon fjala e El Hattabijut.
Imam Ebu Muĥammed El Ĥusejn ibn Mes’ûd El Beĝauij Esh-Shâfi’ij, duke sqaruar e shpjeguar hadithin kur Xhibrili e pyeti Profetin a.s rreth imanit dhe islamit, thotë: “Profeti a.s e prezantoi islamin si një emër që përfaqëson punët që shfaqen haptazi, ndërsa imanin e paraqiti si një emër që përfaqëson i’tiķâd-in (besimin, pohimin), sigurinë e besimit që fshihet në zemër. Por këtë nuk e ka bërë për të treguar se punët e jashtme që shfaqen nuk bëjnë pjesë në të ashtuquajturin “el iman” dhe as për të treguar se “taŝdîķu” – apo pohimi, pranimi e siguria e besimit në zemër – nuk bën pjesë në të ashtuquajturin “islam”. Fjala e Profetit a.s duhet të kuptohet si shpjegim i hollësishëm i diçkaje tërësore, gjithëpërfshirëse; si shpjegim i islamit dhe imanit, që quhet “ed-Dîn” – fe. Për këtë arsye, në fund të hadithit, ai tha: “ Ai ishte Xhibrili. Ai erdhi që t’ju mësojë juve “dînekum”, pra, fenë tuaj.” Pra, qoftë besimi dhe pohimi me zemër, qoftë puna e dukshme në gjymtyrë, që të dyja janë pjesë përbërëse e islamit dhe e imanit. Për këtë tregon fjala e Allahut të Lartësuar: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami. [Al imran 19]
Ose: “..Sot ju përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. [Maide 3]. Ose: “Thuaj: “Ne i kemi besuar (el iman) Allahut, edhe asaj që na u shpall neve, edhe asaj që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve. (I besojmë) Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe (asaj që u është dhënë) të gjithë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre dhe vetëm Atij i jemi dorëzuar (el islâm) (dhe nënshtruar me adhurim dhe me bindje)”. E kush kërkon (të pasojë) fe tjetër përveç Islamit, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe në botën tjetër do të jetë nga të dëshpëruarit.” [Al imran 85]. Domethënë, Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se feja për të cilën është i kënaqur dhe të cilën e pranon prej adhuruesve të Tij është e ashtuquajtura “Islam”. Por feja nuk mund të jetë e pranuar dhe e kënaqshme nëse, krahas punëve të jashtme të dukshme, nuk ka teŝdîķ, pra, pohim dhe besim i plotë dhe i sigurt në zemër.” Kjo ishte fjala e Begavijut.`
Imam Ebu Abdil-lah Muhamed Ibn Ismâîl Ibn Muhamed Ibn El Fađl Et-Temîmij El Aŝbehânij Esh-Shâfi’ij thotë në librin e tij “Et-taĥrîr fi sherĥi Saĥîhi Muslim”: ”El îmânu nga ana gjuhësore do të thotë: “Et-taŝdîķu (pohimi, miratimi, besimi me siguri të plotë i diçkaje). Kështu, nëse kemi për qëllim këtë kuptim të fjalës ”El îmân”, mund të themi se ai nuk shtohet dhe nuk pakësohet, sepse “Et-taŝdîķu nuk është diçka që mund të copëzohet, që të mund të mendojmë se ai njëherë mund të jetë i plotë dhe njëherë i mangët. Ndërsa në terminologjinë e Sheriatit “El îmânu” mund të përkufizohet si: “Taŝdîķu (të pohuarit, të besuarit) me zemër dhe të punuarit me gjymtyrë”. Kështu, nëse kemi për qëllim këtë kuptim të fjalës ”El îmân”, mund të themi se ai shtohet dhe pakësohet.
Ky është medhhebi i Ehli Sunneti uel Xhemâ’at. Kundërshtimi në këtë çështje, pas analizës së bërë me imtësi, del se qëndron në përgjigjen që ne i japim pyetjes: “Ai që pohon dhe beson me siguri të plotë në zemrën e tij çdo gjë që duhet besuar, nëse veç këtij besimi nuk bën asnjë punë që presupozon ky besim, a quhet Mu’minun mutlaķan (besimtar) në mënyrë kategorike (pra, me iman të plotë) apo jo? Mendimi që ne kemi zgjedhur si të saktë është se ai nuk meriton të quhet i tillë (pra besimtar mutlaķan), sepse Profeti a.s ka thënë: “Nuk bën zina një imorali dhe njëkohësisht të jetë mu’min (besimtar mutlaķan, pra, me besim të plotë ) gjatë kohës kur bën zina”. Sepse ai nuk ka bërë me atë çka presupozon imani (besimi), që të meritojë mutlaķan, domethënë të meritojë tërësisht dhe pa cungim këtë emërtim, pra, besimtar (mu’min mutlaķan).” Ky është fundi i fjalës së autorit të “ Et-Taĥrîr”.
Imam Ebu El Ĥasen Alij Ibn Halef Ibn Bettâl el Mâlikij el Maĝribij, në shpjegimin që i ka bërë Sahihut të Buhariut, thotë: “Qëndrimi i grupit të Ehli Sunetit, nga të parët selefët e këtij umeti dhe të mëvonshmit e tij, është që: ”El îmânu” është “fjalë” dhe “punë”, shtohet dhe pakësohet. Argumentet që tregojnë se ai shtohet dhe pakësohet janë ajetet e shumta, të cilat Imam Buhariu i ka sjellë në Sahihun e tij.
Kështu, Allahu i Lartësuar thotë:
“Është Ai, që e zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve, për ta shtuar edhe më shumë besimin mbi besimin që kishin.” [Fet’h 4].
“Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam atyre udhëzimin.” [Kehf 13].
“Allahu u shton atyre që u udhëzuan udhëzim”. [Merjem 76].
“Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai atyre ua shton edhe më shumë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe u ofron mundësi të jenë edhe më të matur.” [Muhamed 17].
“Ne nuk bëmë mbikëqyrës të zjarrit askënd përveç melekëve, dhe numrin e tyre (të përmendur në Kur’an) nuk e bëmë veçse si sprovë për ata që nuk besuan, që të binden ata që u është dhënë Libri, ndërsa atyre që besojnë t’u shtohet edhe më shumë besimi.” [Mudethir 31].
“Kur zbret ndonjë kapitull (prej Kuranit), ka prej tyre që thonë: “Cilit prej jush ia shtoi besimin kjo (sure e shpallur)?” Atyre që besuan, u shtohet besimi dhe gëzohen për të. Ndërsa atyre që në zemrat e tyre kanë sëmundje, ajo (shpallja e sures kuranore), ndyrësisë së tyre ua shton (më shumë) ndyrësinë, dhe ata vdesin si jo besimtarë.” [Teube 124].
“Janë ata të cilët, kur ata (munafikët) u thanë: “Njerëzit (idhujtarët) janë tubuar t’ju sulmojnë, prandaj kini frikë (shpëtoni kokën)!, ai (kërcënim) vetëm sa ua shtoi edhe më shumë besimin, prandaj thanë: “Ne na mjafton Allahu, që është Mbrojtësi (ndihmësi, strehuesi, sipërmarësi) më i mirë!” [Al imran 173].
“Kur muslimanët i panë ushtritë armike, thanë: “Kjo është ajo që na premtuan neve Allahu dhe i Dërguari i Tij. Allahu dhe i Dërguari i Tij thanë të vërtetën”. Ajo (ushtria e armikut) vetëm se ua shtoi atyre edhe më shumë besimin dhe mbështetjen (tek Allahu).” [Ahzab 22].
Ibnu Bettâli thotë: “Kështu, imani që nuk shtohet është i mangët. Dikush mund të thotë: ”El îmânu” nga ana gjuhësore do të thotë: “Et-taŝdîķu (pohimi, miratimi, besimi me siguri të plotë rreth diçkaje). Atëherë, si është e mundur të shtohet e të pakësohet ai? Këtij i përgjigjemi: Et-taŝdîķu (besimi i sigurt) plotësohet kur ne kryejmë të gjitha punët në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Sa më shumë të shtojmë besimin tonë dhe punët e mira, aq më shumë përkryhet, përsoset, plotësohet imani. Në këtë mënyrë shtohet imani, ndërsa me pakësimin e veprave ai pakësohet. Duke u pakësuar punët e mira, pakësohet përsosmëria apo plotësimi i imanit, dhe nëse ato shtohen, edhe imani e shton përsosmërinë, plotësimin e tij. Ky është mendimi mesatar rreth imanit.
Ndërsa për sa i përket Et-taŝdîķu-t (besimit në mënyrë të sigurt) në Allahun dhe Profetin e Tij dhe rreth asaj që lidhet me ta, kjo është një çështje që nuk pranon cënim e pakësim. Ky është edhe shkaku që imam Maliku ka heshtur, sipas disa transmetimeve të ardhura prej tij, kur është pyetur: “A mund të pakësohet besimi?”, sepse nuk lejohet cënimi i taŝdîķu-t (pohimit, besimit me siguri të plotë) në zemër. Një gjë e tillë është e pamundur sepse, nëse siguria do të cënohej, nuk do të quhej më siguri, por dyshim (shek) dhe si e tillë nuk do të mund të quhej iman (besim). Disa të tjerë thonë: Imam Maliku pati një arsye tjetër kur heshti në përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ai heshti që të mos mendonin të paditurit se ai është pro mendimit të gabuar të Hauarixhëve, të cilët i konsiderojnë jashtë imanit (pra, si qafirë) ata besimtarë që bëjnë gjynahe.”
Edhe imam Maliku ka deklaruar se imani pakësohet, sikurse kanë konfirmuar edhe grupi i madh i Ehli Sunetit. Abdurrezzaku thotë: “Kam dëgjuar ata dijetarë të cilët i arrita, si Sufjân Eth-Theurij, Mâlik Ibn Enes, Ubejdil-lâh ibni Umer, El Euzâij, Mea’mer Ibn Râshid, Ibn Xhurajxĥ dhe Sufjan Ibn Ujejnete, të thonë: “El îmânû është “fjalë” dhe “punë”, shtohet dhe pakësohet. Ky është edhe mendimi i Ibni Mesudit, Hudhejfes, En-neHaij-jut, El Ĥasen el Baŝrij-jut, Ataut, Taus-it, Muxhâhid-it, Abdullâh Ibn El Mubârek. Kështu, ajo për të cilin robi meriton dashurinë, mbështetjen dhe ndihmën prej besimtarëve, është plotësimi i këtyre 3 gjërave: “Et-taŝdîķu (pohimi, miratimi, besimi me siguri të plotë) në zemër, El iķrâru (të pohuarit, të miratuarit me gojë, pra diktimi me fjalë), dhe el amelu, domethënë, të punuarit me gjymtyrë. Nuk ka asnjë kundështim mes tyre se, nëse dikush pohon, miraton diçka dhe punon duke mos pasur dije dhe njohuri për Zotin e tij, ai nuk meriton emrin mu’min (besimtar).
Edhe nëse ai ka njohuri të plotë dhe punon sipas dijes, por në të njëjtën kohë mohon me gojën e tij atë çka e njohu dhe e diti mirë rreth Zotit të tij, ai edhe në këtë rast nuk e meriton emrin “mu’min”. Po kështu, nëse dikush pohon dhe e beson Allahun e Lartësuar dhe profetët e Tij dhe nuk punon me farzet (detyra e përcaktuara nga Zoti) ai nuk meriton të quhet mu’min mutlaķan (në mënyrë të plotë). Edhe pse nga ana gjuhësore e kuptimit të fjalës “el îmân” në gjuhën arabe, ai mund të quhet mu’min, ai nuk meriton të quhet i tillë në terminologjinë e përdorur në Sheriat për këtë fjalë, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet Allahu, u frikësohen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe vetëm tek Zoti i tyre kërkojnë mbështetje. Gjithashtu, ata të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizojmë, ata japin. Të tillët janë besimtarë të vërtetë. Për ta ka grada të larta tek Zoti i tyre, falje dhe një furnizim bujar.” [Enfalë 2-4].
Allahu i Lartësuar na njofton se mu’min është ai i cili ka këto cilësi të përmendura. Ibnu El Bettâli thotë në kapitullin: “Për ata që thonë se besimi është “punë”: “Nëse dikush thotë: “Ju sapo thatë që El imânu është “et-taŝdiku “, atij i themi: “Et-taŝdîķu” është shkalla apo hapi i parë drejt imanit. Kjo tregon se ai që pohon, miraton dhe beson me siguri të plotë, ai hyn në iman, por kjo nuk tregon se ai i plotëson të gjitha gradat e tij. Pra, ai nuk quhet mu’min mutlaķan (me iman të plotë, të pacënuar). Ky është qëndrimi i grupit të Ehli Sunetit. Pra, El imanu është “fjalë” dhe “punë”.”
Ebu Ubejdi thotë: “Ky është mendimi i Malikut, Eth-theurijut, El Euzâij etj, i dijetarëve të mëdhenj dhe protagonistëve të Sunetit (traditës) së Profetit pas tyre. Ky është medhhebi i atyre që ishin fanarët e udhëzimit të drejtë dhe imamë të kësaj feje madhështore. Ky është medhhebi i imamëve të Hixhazit, Irakut, Shamit etj. Ibnu Bettâli thotë: “Të njëjtin kuptim ka dashur edhe imam Buhariju të konfirmojë në Sahihun e tij dhe po me të njëjtin qëllim i ka emërtuar edhe kapitujt e ndryshëm në të. Ai ka thënë: Kapitulli: “Çështjet e imanit”; Kapitulli: ”Namazi është prej imanit (besimit)”; Kapitulli: “Zekati është prej imanit”. Kapitulli: “Xhihadi është prej imanit”, e kështu me radhë. Në të vërtetë ai kërkon të kundështojë ”murxhiet”, të cilët thonin: “El îmânu” është “fjalë”, pa punë. Pra, imam Buhariju dëshiroi të sqarojë dhe të tregojë besimin e tyre jo të saktë dhe kundërshtimin e hapur të tyre të Kuranit, Sunetit dhe traditës së imamëve të mëdhenj.” Pastaj Ibnu Bettal përmend në një tjetër kapitull: “Mehlebu ka thënë që “El islâmu” në të vërtetë është ”El îmânu, i cili është besimi i patundur, i pazgjidhshëm, i sigurt i zemrës në atë që e dëshmon dhe e pohon me gojë, dëshmi pa të cilën asgjë nuk të vlen tek Allahu i Lartësuar.”
El Kerrâmij-jetu dhe një pjesë e murxhive kanë thënë: “El îmanu është thjesht pohimi me gojë, pa qenë i nevojshëm besimi i sigurt me zemër i asaj që dëshmon. Nga argumentet më të forta me të cilat hidhet poshtë ky mendim i gabuar është unanimiteti i umetit në konsiderimin si qafirë (jobesimtarë, jashtë besimit) i munafikëve, edhe pse ata dëshmojnë me gojë dy shehadetet. Allahu i Lartësuar thotë: “Asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (e xhenazes) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje e vizitë), sepse ata mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe vdiqën si kryeneçë.” [Teube 84].” Ky është fundi i fjalës së Ibni Bet-tal-it
Shejhu dhe imami Ebu Amër Ibnu Salâh, – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Profeti a.s tha se Islami është: “Të dëshmosh se nuk ka Zot të adhuruar me të vërtetë veç Allahut dhe se Muhamedi është profeti i Allahut, të falësh (përkryesh) namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin në Shtëpinë e Shenjtë (Qaben), nëse ke mundësi të shkosh atje.” Ai gjithashtu ka thënë që imani është: “Të besosh Allahun, melekët e Tij, Librat e Tij, profetët e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në kaderin, të mirën e tij dhe të keqen e Tij.” Ky (thotë Ibn Salâĥu) është qartësim i themeleve të imânit, i cili në vetvete është et-taŝdîķu (pohim, miratim, besim i sigurt) nga brenda (pra, me zemrën tënde). Gjithashtu, mund të themi se në këtë hadith janë qartësuar edhe themelet kryesore të Islamit, i cili në vetvete është “el istislâmu”, pra, dorëzim i plotë dhe “el inķijâdu”, domethënë, nënshtrim dhe bindje e jashtme, e dukshm.
Ne gjykojmë për dikë se ai është në islam duke u nisur nga pamja e jashtme, nga ajo që shfaqet, dhe mjafton për këtë gjykim shprehja e dy dëshmive: Eshhedu en lâ ilâhe il-lall-llâhu ue eshhedu en-ne Muhameden abduhû ue rasûluh. (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar të merituar veç Allahut dhe dëshmoj se Muĥamedi është adhuruesi dhe profeti i Allahut). Por në hadith, Profeti (a.s.) i bashkangjiti përkufizimit të Islamit, përveç shehadetit, edhe namazin, zekatin, haxhin e agjërimin, për shkak se ato janë më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet treguese dhe shenja të Islamit. Në varësi të plotësimit dhe zbatimit që njeriu u bën këtyre bazave të Islamit do të jetë edhe grada e të qënurit të tij, i dorëzuar dhe i nënshtruar ndaj Zotit (pra, të qenurit e tij musliman). Gjithashtu, në varësi të lënies dhe cënimit të këtyre bazave do të jetë edhe zhdukja ose cënimi e dobësimi i të qenurit të tij i dorëzuar, i nënshtruar, i bindur ndaj Allahut të Lartësuar.
Pastaj mund të themi gjithashtu se fjala “el îmân” ngërthen, perfshin në vetvete të gjitha ato me të cilat u shpjegua Islami dhe shumë e shumë punë të tjera në bindje ndaj Allahut të Lartësuar, sepse ato punë janë fryt i taŝdîķut të brendshëm, i cili sikurse e kemi përmendur është baza e imanit. Këto punë të jashtme e të dukshme janë si përforcueset, plotësueset, ruajtëse e mbrojtese të imanit të fshehur në zemër. Për këtë arsye, Profeti (a.s.) në hadithin e delegacionit të Abdu el Kajsit e ka përkufizuar el iman-in me dy dëshmitë, me namazin, zekatin, agjërimin e Ramazanit dhe veçimin e 1/5 prej pasurive të fituara në luftë (për hir të Allahut). Për këtë arsye, nuk e meriton që të quhet mu’min mutlaķan ai që kryen gjynahe të mëdha dhe braktis farzet, sepse ky emërtim i jepet vetëm atij që është i plotë në cilësi. Edhe Profeti (a.s.) e ka mohuar që ai që vjedh apo bën zina është mu’min kur ka thënë: “Hajduti gjatë vjedhjes nuk mund të jetë mu’min”.
Pra, në këtë rast, Profeti (a.s.) nuk e ka quajtur mu’min, sepse këtë emërtim e meriton veçse ai që është i plotë në cilësitë e mu’min-it (me fjalë të tjera ka thënë: “Nuk është besimtar i plotë ai që vjedh”) Edhe emri “el islâm” përfshin dhe ngërthen në vetvete atë çka konsiderohet si themeli apo baza e imanit, pra, taŝdîķu-n e brendshëm. Gjithashtu, ai përfshin edhe bazat kryesore të veprave që konsiderohen si bindje ndaj Allahut të Lartësuar. E gjithë kjo bën pjesë në atë që quhet “istislâm”, pra, dorëzim, nënshtrim i plotë ndaj Allahut të Lartësuar. Në këtë mënyrë, mund të themi se “el imânu” dhe “el islâmu” kanë pika bashkimi dhe ndarjeje. Mund të themi se: çdo mu’min është muslim dhe jo çdo muslim është mu’min (besimtar me kuptimin e plotë të fjalës). Ky përfundim kaq i përpiktë është një sukses shumë i madh, që na jep të kuptojmë të harmonizuara shumë nga tekstet e Kuranit dhe Sunetit, që kanë folur rreth imanit dhe islamit dhe të cilat janë bërë shkak për gabime të shumta, për cilindo të thelluar mes tyre. Përfundimi ynë është në përputhje të plotë me dijetarët e shumtë të hadithit dhe të tjerë.” Ky është fundi i fjalës së Shejh Ebu Amr Ibn Es Salâĥ.” [Imam Neueuiju në “Sherhu i Sahihut të Muslimit”]