– “Ai do t’u flasë njerëzve që në djep, por dhe kur të rritet.” – Kjo qe një mrekulli e Allahut: një foshnjë që u fliste njerëzve. Jo thjesht u fliste, por u thoshte fjalë të urta, që i udhëzonin ata në gjithçka të mirë dhe të dobishme për jetën e tyre. Ato ishin fjalë që tregonin shpëtimin dhe suksesin në të dyja jetët, domethënë fjalë tipike për profetët e Zotit. Kjo qe shenjë se ai do të ishte një profet, që do t’i drejtonte njerëzit në adhurimin dhe përkushtimin ndaj Zotit të tyre të vetëm, Allahut të Lartësuar.
E folura e tij në djep qe një mrekulli, me anë të së cilës forcohej besimi dhe siguria e besimtarëve të sinqertë dhe, në të njëjtën kohë, humbte çdo mundësi justifikimi e mohuesve dhe e atyre që refuzonin të adhuronin Zotin e botëve, Allahun e Lartësuar. Kjo mrekulli tregonte se Isai (a.s.) ishte profet i vërtetë, i zgjedhur nga Zoti i botëve, dhe adhurues i sinqertë i Tij. Ajo vinte si mirësi dhe si tregues i pastërtisë së Merjemes, nënës së Isait (a.s.). Ajo ishte e pastër dhe e ruajtur nga çdo e keqe, ndryshe nga çfarë shpifin për të armiqtë e Zotit.
– “Ai do të jetë prej të mirëve.” – Ky ishte një përgëzim, se Allahu do t’i falte Isait (a.s.) dhunti të jashtëzakonshme, sikurse ka bërë me të gjithë profetët e Tij. Isai (a.s.) do të ishte një prej profetëve më të mëdhenj. Të gjitha këto ishin përgëzime të njëpasnjëshme për Merjemen dhe tregime për Isain, Profetin e Zotit të gjithësisë. Më pas: