– “Kur qëndronte në këmbë, duke u falur në faltore, atë e thirrën melekët: …” – Kështu, Allahu i Lartësuar iu përgjigj kësaj kërkese, gjatë kohës kur Zekeria (a.s) lutej dhe përgjërohej në faltoren e tij.
– “Allahu të përgëzon ty me Jahjan, i cili do të besojë Fjalën e ardhur nga Allahu. Ai do të jetë zotëri (fisnik), i përkorë …” – Allahu i Lartësuar e përgëzoi me një djalë të quajtur Jahja, i cili do të përcillte tek njerëzit lajmin e mirë për ardhjen në botë të Fjalës së Zotit, pra, të Isait (a.s.), sepse Isai u krijua me fjalën e Zotit “Kun” (Bëhu). Jahja do të ishte, gjithashtu, sejjiden (zotëri), tek i cili do të shkonin njerëzit për zgjidhjen e çështjeve të tyre, për shkak të cilësive të tij të mira dhe vlerave të larta.
Cilësi tjetër e Jahjas ishte edhe “ĥaŝûran” (i përkorë), domethënë që nuk ishte i dhënë pas femrave. Ai nuk tundohej prej tyre, sepse ishte shumë i angazhuar me shërbimin dhe adhurimet ndaj Zotit të tij. Allahu i Lartësuar përmend edhe një cilësi tjetër të Jahjas:
– “… dhe Profet nga më të mirët.” – Ku ka lajm më të mirë për një prind që merr vesh se do të gëzohet me një fëmijë, i cili do të ketë cilësi të shkëlqyera dhe që do të bëhet një Profet i dalluar dhe vepërmirë?! E kështu, nga gëzimi i madh, Zekeria nisi të fliste: