Select Page

– “Thuaj (o Muhammed): “Nëse e doni Allahun, …” – Ky ajet tregon se dashuria për Allahun është detyrim. Në ajet shpjegohen, gjithashtu, se cilat janë shenjat që tregojnë se robi e do vërtet Allahun, si edhe frytet e mrekullueshme që sjell kjo dashuri. “Nëse e doni Allahun”, pra, nëse pretendoni se e keni arritur këtë gradë të lartë, dijeni se nuk mjafton vetëm ta pretendoni atë, por është i domosdoshëm sinqeriteti ose vërtetësia, në mënyrë që ai të merret në konsideratë nga i Dituri dhe i Urti.

Si shenjë të vërtetësisë të këtij pretendimi, Allahu i Lartësuar ka bërë pasimin e Profetit të Tij. Me fjalë të tjera, të duash Allahun do të thotë që të pasosh Profetin e mëshirës, Muhamedin (a.s.) në fjalët dhe në veprat e tij, të pasosh udhëzimin e sjellë prej tij, që sqaron themelet e besimit dhe dispozitat ligjore në çdo fushë të jetës njerëzore. Ky pasim duhet të jetë i tërësishëm, me trup dhe me shpirt.

Vetëm ata që e pasojnë rigorozisht udhëzimin e Zotit, siç është sjellë me saktësi prej Profetit (a.s.), vetëm ata e kanë të vërtetuar pretendimin se e duan Zotin e gjithësisë, Allahun e Lartësuar. Madje, në këtë mënyrë, ata i kanë mundësuar vetes së tyre privilegjin më të madh që mund të gëzojnë krijesat në këtë jetë dhe në jetën tjetër: ata kanë merituar dashurinë e Allahut për ta dhe mbulimin e të metave të tyre.

– “… atëherë më pasoni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet tuaja.” Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Nëse robi e pason udhëzimin e sjellë nga Profeti, ai ka bërë të mundur që Allahu i Lartësuar ta dojë atë, t’ia falë dhe mbulojë gjynahet, ta mëshirojë, ta udhëzojë dhe t’i japë sukses që të gjejë çdo të mirë dhe të ruhet nga çdo e keqe. Ai do të jetë i ruajtur në çdo veprim apo mosveprim të tijin nga Allahu i Lartësuar, që e do, e mëshiron dhe përkujdeset për të në mënyrë të posaçme.

Ndërsa ata që nuk e ndjekin udhëzimin e Profetit, nuk e duan Allahun, sepse dashuria për Allahun lidhet me pasimin e udhëzimit të Profetit dhe me nënshtrimin e bindjen ndaj tij. Nëse mungon respektimi i rrugës së Profetit dhe bindja ndaj tij, atëherë mungon edhe dashuria për Allahun e Lartësuar. Kjo tregon se ata janë të gënjeshtërt në pretendimin e tyre që e duan Allahun e Lartësuar.

Edhe sikur të mendohej se në zemrën e tyre do të ekzistonte ndonjëfarë dashurie për Allahun, ajo do të ishte e pavlefshme për robin, nëse nuk plotëson kushtin që e bën atë të pranueshme e të shpërblyeshme. Ky kusht është pasimi i udhëzimit të Profetit dhe bindja ndaj tij, i shtyrë nga dashuria për Allahun dhe madhërimi i Tij. Ky ajet bën dallimin e njerëzve nga njëri tjetri. Grada e besimit dhe e dashurisë për Allahun e Lartësuar është në varësi të ndjekjes së udhëzimit të Profetit (a.s). Mangësia në njërën anë tregon mangësi në anën tjetër.