– ”Është Allahu Ai që e fut natën te Dita dhe Ditën te Nata (duke shkurtuar herë njërën e herë tjetrën) …” – Kështu, Allahu i Madhëruar, herë e shkurton njërën e herë tjetrën. Sa herë që vjen njëra, largohet tjetra. Ndonjëherë janë njëlloj në kohëzgjatje. Kështu përmbushen shumë nevoja të njerëzve, kafshëve, pemëve e bimëve.
Allahu i Lartësuar vendosi dobi të shumta kur nënshtroi diellin dhe hënën, dritën dhe shkëlqimin. Njerëzit gjatë ditës lëvizin e gjatë natës qetësohen. Kur dielli ndriçon, robërit shpërndahen e kërkojnë prej mirësive të Tij. Nëpërmjet ngrohtësisë së diellit, piqen prodhimet dhe pastaj edhe mund të thahen, për t’u ruajtur më gjatë si ushqim në dimër. Kështu arrihen shumë mirësi, që janë nga domosdoshmëritë e jetës. Pa ato, njerëzit nuk do të mund të jetonin.
– ”… dhe i ka nënshtruar Diellin dhe Hënën që lëvizin sipas një afati të caktuar.” – Si dielli dhe hëna lëvizin në orbitën e tyre dhe do të vazhdojnë të lëvizin derisa të dëshirojë Allahu. Por kur të afrohet koha e fundit të kësaj dynjaje, kjo lëvizje do të përfundojë dhe forca e ndikimi i tyre do të ndërpritet. Hëna dhe dielli do të shuhen, ndërsa yjet do të rrëzohen. Në ajete e mësipërme, Allahu i Lartësuar na tregoi shumë nga krijesat madhëshore, të cilat tregojnë për bamirësinë dhe për cilësitë e Tij absolute. Pas këtyre shenjave, Ai thotë:
– ”Ky është Allahu, Zoti juaj dhe vetëm Atij i takon i gjithë Sundimi.” – Ai që është i vetmi që i krijoi ato krijesa dhe i nënshtroi për dobinë tuaj, Ai duhet të jetë i vetmi që meriton adhurimin. Atij i takon pushteti dhe mbretërimi i gjithçkaje.
– ”Dhe ata që ju u luteni përveç Atij, nuk posedojnë as një cipë të hollë (si ajo e farës së hurmës).” – Idhujt e putat nuk zotërojnë asgjë, as të madhe e as të vogël. Madje as atë që quhet el-kitmir (kështu quhet cipa mbështjellëse e bërthamës së hurmës së palmës), që është gjëja më e pavlefshme dhe më e vogël. Si është e mundur që t’i luten diçkaje që nuk ka në pronësinë e vet asnjë grimcë pushteti, as në qiej dhe as në tokë?!