– ”Është Allahu Ai që i lëshon erërat të cilat formojnë retë (plot ujë) …” – Allahu i Madhëruar na tregon për bamirësinë e Tij të gjerë dhe për pushtetin e Tij absolut mbi gjithçka. Allahu na tregon se është Ai: “… që i lëshon erërat, të cilat formojnë retë (plot ujë).” Kështu, Allahu e lëshon shiun dhe jetën mbi një vend të thatë dhe e ngjall, pasi ka vdekur.
– ”… dhe Ne i drejtojmë ato në një vend të vdekur (të thatë) dhe e ngjallim tokën pasi është shkretuar. Ja, kështu do të jetë edhe Ringjallja.” – Kështu marrin jetë vendet dhe krijesat, ushqehen kafshët dhe përhapen begatitë dhe mirësitë ndër njerëz. Pikërisht kështu siç e ngjall tokën e shkretuar, po ashtu do t’i ngjallë të vdekurit nga varret e tyre, edhe pasi të jenë tretur e zhdukur në tokë.
Allahu i Madhëruar ka për të zbritur atë ditë një shi nga qielli dhe trupat do të ribëhen, kurse shpirtrat do të rikthehen në ato trupa, për të dalë të gjallë mbi tokë. Të gjithë do të dalin të gjallë për të qëndruar para Zotit, i Cili ka për të gjykuar me drejtësinë e Tij.