Select Page

O njerëz! Kujtoni me mirënjohje të mirat e Allahut për ju! Allahu i Lartësuar i urdhëron të gjithë njerëzit që të kujtojnë mirësitë dhe begatitë e shumta që Ai u ka dhuruar. Ky është nje urdhër që përfshin jo vetëm kujtimin dhe përmendjen e mirësive me fjalë, duke e lavdëruar Allahun që ua ka dhuruar, por edhe me zemër dhe trup, duke ndier mirënjohje dhe duke e lavdëruar përmes nënshtrimit dhe të jetuarit sipas urdhëresave të Tij.

Kur njeriu kujton mirësitë e Zotit, nxit tek ai mirënjohjen dhe dashurinë për Atë. Në vijim, Allahu përmend disa mirësi që konsiderohen si themelore: krijimin dhe furnizimin me mirësitë e domosdoshme për krijesën. Ai thotë:

A ka ndonjë zot tjetër që ju furnizon ju nga qielli e nga toka?Duke qenë se nuk ka asnjë zot tjetër veç Allahut, që i krijon dhe furnizon krijesat nga qielli dhe Toka, atëherë nga kjo del si përfundim se Allahu është Ai që meriton adhurimin e krijesave, dhe nënshtrimin e plotë të tyre ndaj Tij. Për këtë arsye:

Nuk ka zot tjetër (që e meriton adhurimin) përveç Tij. Atëherë si po largoheni nga e vërteta?Si mund ta lejoni veten të largoheni nga adhurimi i Atij që është Krijuesi dhe Furnizuesi i vetëm, dhe t’i nënshtroni asaj që është krijesë nevojtare, e cila gjithashtu ka nevojë për Zotin?!