– “Thuaju (o Muhamed) atyre që nuk besojnë: “Do të jeni të mposhtur dhe do të hidheni në Xhehenem. Sa i shëmtuar është ai shtrat!”. – Këto fjalë, nga njëra anë, u dhanë shpresë besimtarëve se fitorja dhe ndihma e Allahut do të ishte me ta dhe, nga ana tjetër, kërcënonin hapur mohuesit e Zotit, që luftonin të drejtën.
Dhe, vërtet, ashtu ndodhi. Allahu i Lartësuar i ndihmoi besimtarët dhe bëri që ushtria e të vërtetës të triumfonte mbi armiqtë e të vërtetës, që ishin mohues të kategorive të ndryshme, si idhujtarë, çifutë, të krishterë etj. Ndihma e Allahut do të vazhdojë të jetë me këtë popull të drejtë, me adhuruesit e Tij të sinqertë, me ushtarët e Tij besimtarë dhe besnikë. Allahu do të jetë me ta deri në Ditën e Gjykimit.
Kjo profeci e Kur’ânit është një prej mrekullive të tij, e dëshmuar me sy prej njerëzve, që vërteton se ai Libër është fjalë e Zotit të gjithësisë. Më tej, Allahu i Lartësuar na tregon që, përveçse qafirët do të jenë gjithmonë të mposhtur në këtë jetë, në jetën tjetër ata do të tubohen në vendin e ndëshkimit dhe të vuajtjes së përjetshme, në zjarrin e Xhehenemit. Ai është një vend që ata vetë e përgatisin dhe e dëshirojnë për veten e tyre. Nuk ka vendqëndrim më të keq se ai i tyre dhe nuk ka ndëshkim më të rëndë se ndëshkimi i tyre.
13