– ”A nuk shohin ata çfarë ka para dhe pas tyre në qiell dhe në tokë?” – Allahu i Madhëruar i udhëzon njerëzit në një argument, që tregon se ringjallja nuk është diçka kaq e largët dhe e pabesueshme, siç pretendojnë. Mjafton që njerëzit të shohin pushtetin e Allahut në qiell dhe në Tokë, për të kuptuar madhështinë dhe fuqinë e Tij për gjithçka që dëshiron. Ky pushtet dhe kjo madhështi i habit dhe lë pa fjalë dijetarët më të mëdhenj.
Ata e kuptojnë se krijimi i gjithë kësaj gjithësie me madhështinë e saj dhe ato krijesa të shumta në to është diçka shumë më e madhe sesa thjesht rikrijimi i një njeriu që ka vdekur. Një njeri i logjikshëm që beson dhe dëshmon pushtetin e Allahut për gjithë këto krijesa madhështore, kurrë nuk do të vinte në dyshim pushtetin e Tij për të ringjallur krijesat. Por këta, përsëri e mohojnë ringjalljen, sepse ky është një lajm për të fshehtën dhe deri tani nuk kanë parë gjë me sytë e tyre. Ky është arsyetimi i tyre. I Lartësuari thotë:
– ”Nëse do të dëshironim, Ne do t’ua shembnim tokën nën këmbë ose do të bënim që të binin copa (dënimi) nga qielli mbi ta.” – Ai mund t’u zbresë ndonjë dënim nga qielli ose t’i përpijë toka nën këmbët e tyre, sepse Ai është Pronari i qiejve dhe Tokës dhe ato janë nën sundimin e Tij. Nëse Ai do t’i urdhëronte, ato kurrë nuk do ta bënin dysh fjalën e Tij. Për këtë arsye, kini kujdes dhe mos këmbëngulni në mohimin tuaj, sepse kështu do të meritoni më të ashprin ndëshkim.
– ”Me të vërtetë, në këtë ka argument për çdo rob që kthehet (tek Allahu) i penduar e i bindur.” – Në krijimin e qiejve të Tokës dhe në krijesat e shpërndara në to ka shenja dhe argumente për çdo njeri që do të kthehet tek Zoti dhe t’i përulet Atij. Sa më i përulur dhe i nënshtruar të jetë robi ndaj Zotit, aq më shumë do të përfitojë nga shenjat dhe argumentet e Tij, sepse i penduari dhe i përuluri i përkushtohet Zotit të vet.
Të gjitha dëshirat dhe synimet, vullneti dhe ambiciet e tij janë drejtuar për tek Zoti dhe kënaqësia e Tij. Ai i kthehet Zotit për çdo çështje dhe në çdo çast. Kështu, ai është gjithmonë pranë Zotit dhe i vetmi shqetësim dhe qëllim i tij është si ta kënaqë Krijuesin e tij. Për këtë arsye, vështrimi dhe meditimi në krijesat e Zotit është diçka që atij i sjell dobi dhe nuk është thjesht një shikim i pavëmendshëm e i padobishëm.