Pasi përmendi shpërblimin e grave të Profetit dhe ndëshkimin nëse nuk do të bindeshin dhe pasi përmendi faktin që ato ishin në një gradë të lartë, si askush tjetër prej grave të botës, Allahu i Madhëruar përmend edhe pjesën tjetër të grave. Ai sjell një gjykim gjithëpërfshirës, për të gjitha gratë, dhe shpërblimin e madh që i pret të gjitha ato që kanë cilësitë e mëposhtme. Megjithatë, duke qenë se gratë dhe burrat gjykohen njëlloj në të tilla raste, Allahu i lartësuar thotë:
– ”… për muslimanët dhe muslimanet …” – këta janë të dorëzuarit plotësisht tek Allahu i Lartësuar, duke zbatuar dispozitat e jashtme e të dukshme, të urdhëruara nga Ai.
– ”… për besimtarët dhe besimtaret …” – këta janë ata që e adhurojnë Allahun e Lartësuar duke pastruar zemrat dhe nëpërmjet veprave të fshehta e të brendshme të zemrës.
– ”… për adhuruesit dhe adhurueset …” – këta janë të bindurit dhe të nënshtruarit në adhurimin ndaj Allahut dhe në pasimin e Profetit (a.s.).
– ”… për të sinqertit e të sinqertat, …” – këta janë të vërtetët dhe të sinqertët në fjalët dhe në veprat e tyre.
– ”… për durimtarët e durimtaret, …” – pra ata që janë të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm në zbatimin e urdhrave të Zotit dhe në largimin nga ndalesat e tij. Gjithashtu ata janë të durueshëm dhe të kënaqur me çdo caktim të Zotit për ta.
– ”… për të përvuajturit e të përvuajturat, …” – pra ata që përkushtohen ndaj Zotit me përunjësi dhe frikërespekt në të gjitha gjendjet e tyre, sidomos në kryerjen e adhurimeve, e në veçanti të namazit.
– ”… për sadakadhënësit e sadakadhënëset, …” – pra ata që japin nga pasuria dhe mirësitë me të cilat Zoti i ka begatuar, jo vetëm në drejtimet e detyrueshme të shpenzimit, por edhe në drejtime të pëlqyeshme.
– ”… për agjëruesit e agjërueset, …” – me agjërime farze dhe nafile.
– ”… për të ndershmit e të ndershmet, …” – ata që e ruajnë dlirësinë dhe nderin e tyre nga imoraliteti dhe çdo gjë që të afron tek ai.
– ”… për ata që e përmendin shumë Allahun dhe ato që e përmendin shumë Allahun, …” – në të shumtën e kohës, sidomos gjatë kohëve të pëlqyeshme dhe të nxitura nga Sheriati për të shtuar përmendjen e Zotit, si për shembull, në mëngjes dhe në mbrëmje, pas namazeve farze, para gjumit etj. Për këta që kanë të tilla cilësi, Allahu i Lartësuar ka përgatitur shpërblim të madh.
– ”Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” – Këta e kanë plotësuar besimin në zemrat e tyre, e kanë përkthyer dhe vërtetuar atë me fjalët dhe me veprat e tyre. Ata janë të dobishëm jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të tjerët, duke sjellë mirësi kudo që shkojnë. Ata e adhurojnë Allahun me sinqeritet dhe sipas porosive të tij, duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar të keqes dhe ndalesave.
Me pak fjalë, ata e kanë përsosur veten e tyre, duke plotësuar të gjitha cilësitë e besimit dhe fazat e tij, islamin, imanin dhe iĥsanin. Për këta, i Lartësuari premton falje gjynahesh, sepse veprat e mira i fshijnë ato të këqijat. Ai premton dhe shpërblim shumë të madh, të cilin askush nuk mund ta përkufizojë, përveçse Ai që ua dhuroi. Atë shpërblim askush nuk e ka parë me sy, as nuk e ka dëgjuar me veshë dhe as nuk e ka përfytyruar me zemrën e tij. E lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë prej tyre!