Select Page

– ”Dhe rrini qetësisht në shtëpitë tuaja …” – Qëndroni në to, sepse kjo është mbrojtje më e mirë e nderit dhe moralit tuaj.

– ”… dhe mos e shfaqni bukurinë tuaj ashtu siç shfaqej në injorancën e hershme! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” – Mos dilni shpesh nga shtëpia dhe mos dilni të zbukuruara dhe të parfumosura, siç vepronin në kohën e injorancës ata njerëz që nuk kishin as dituri e as fe. Ky urdhër është një ligj që parandalon ligësinë me të gjitha rrugët dhe shkaqet e saj. Në ajetet më lart, Allahu i Madhëruar urdhëroi gratë për devotshmëri në mënyrë të përgjithshme dhe për veprat e devotshmërisë në mënyrë të veçantë, për vetë nevojën e madhe të grave për diçka të tillë.

Po kështu, i urdhëroi ato për bindje ndaj Allahut dhe Profetit, në mënyrë të veçantë për namaz e zekat, vepra këto për të cilat ka nevojë çdo njeri. Këto janë nga adhurimet më madhështore, sepse falja e namazit tregon për sinqeritetin ndaj Allahut, ndërsa dhënia e zekatit është bamirësi ndaj krijesave. Në vijim, Allahu i Madhëruar u jep një urdhër të përgjithshëm për bindje ndaj Allahut dhe Profetit (a.s). Ai thotë: “… dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij!” Këtu futet bindja për çdo urdhër që ka dhënë Allahu dhe Profeti i Tij, qoftë ato kategorikë, qoftë ato jo kategorikë, pra, për gjërat e pëlqyeshme e vullnetare. Lum ajo grua që i bindet Allahut e Profetit në të gjitha këto urdhra!

– ”Allahu dëshiron që të largojë nga ju, o familja e shtëpisë (së Profetit) papastërtinë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë me një pastrim të madh.” – Me gjithë këto urdhëresa dhe ndalesa, Allahu i Madhëruar dëshiron që: “… të largojë nga ju, o familja e Shtëpisë (së Profetit), ndyrësinë e gjynaheve dhe t’ju bëjë një pastrim të madh, duke ju larguar nga çdo ligësi dhe paudhësi. Kështu, ju do të jeni të pastruara nga çdo e keqe, prandaj duhet ta falënderoni dhe lavdëroni Zotin tuaj, për gjithë këto urdhëresa dhe ndalesa dhe për dobitë e shumta të tyre, që Ai jua qartësoi.

Me këto ligje, Allahu i Lartësuar nuk dëshiron që t’ju rëndojë, por do që të pastrojë dhe lartësojë shpirtrat tuaj, të përmirësojë dhe ta përkryejë moralin tuaj, t’i rregullojë dhe zbukurojë veprat dhe sjelljen tuaj, dhe kështu ta zmadhojë dhe shumëfishojë shpërblimin tuaj. Pasi i urdhëroi për vepra të mira që, në fakt, janë përmbushje e urdhëresave e lënie e ndalesave, Allahu i Madhëruar urdhëron për dituri të dobishme, duke treguar rrugën e arritjes së kësaj diturie. Ai thotë: