– ”Por edhe atëherë vrapojnë të marrin veç për vete.” – Ata nuk marrin pjesë në luftë as me trupin e forcën e tyre dhe as duke shpenzuar nga pasuria e tyre.
– ”Pastaj, kur i pushton frika, do t’i shohësh se si të shikojnë me ata sytë e tyre që rrotullohen si të atij që është në agoni.” – Të shohin të tmerruar, njësoj si ai që po i bie të fikët nga frika e vdekjes. E tillë është frika e tyre. Ajo ua ka pushtuar zemrat dhe i ka bërë që të mos mendojnë. Ata druhen se mos i detyrojnë të luftojnë kundër dëshirës së tyre.
– ”Dhe kur u largohet frika, ata ju sulmojnë me ato gjuhë therrëse, duke lakmuar për pasuri (plaçkë lufte).” – Kur situata qetësohet dhe zotëron paqja, do t’i shohësh se sa mirë që ligjërojnë e flasin me fjalë të mëdha dhe sllogane trimërie, por që të gjitha janë pretendime boshe e të kota. Teksa i dëgjon, mendon se janë trima të sprovuar, që i vërsulen armikut.
Kjo është cilësia më e keqe që mund të gjendet tek njeriu: që të jetë koprrac dhe i lëkundur në përmbushjen e detyrimeve: koprrac me pasurinë, duke mos e shpenzuar atje ku duhet, koprrac me trupin e tij, duke mos luftuar armiqtë e Allahut ose të ftojë njerëzit e të përhapë fenë e Allahut, koprrac me prestigjin dhe famën e tij, koprrac me diturinë e tij, këshillat dhe opinionet e tij në çështje të rëndësishme. Për këta lloj njerëzish, që janë në këtë gjendje, Allahu i madhëruar thotë:
– ”Të tillë njerëz nuk kanë besuar prandaj Allahu ua asgjësoi veprat e tyre dhe kjo për Allahun është e lehtë.” – Për shkak të mangësisë së imanit në zemër, Allahu i Madhëruar ua asgjësoi veprat e tyre. Ndërsa besimtarët, Zoti i ruajti nga koprracia e vetes së tyre. Ai i forcoi dhe udhëzoi ata që të përmbushnin atë për të cilën u urdhëruan, duke vënë në shërbim trupin e tyre duke luftuar në rrugën e Zotit, duke e lartësuar me davet fjalën dhe fenë e Tij, duke shpenzuar pasurinë e tyre në rrugët e shumta të mirësive, duke përdorur prestigjin dhe diturinë e tyre në shërbim të çështjes së Zotit.