– ”Thuaj: “Kush është ai që mund t’ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai dëshiron (t’ju godasë me) ndonjë të keqe, ose (kush mund ta ndalë të mirën e tij) nëse Ai dëshiron ndonjë të mirë?” – Në këto ajete, Allahu i Madhëruar u tregon njerëzve se asnjë masë e tyre nuk mund t’i mbrojë ata nga dënimi i Tij, nëse Ai dëshiron t’i godasë me fatkeqësi. Ai thotë: “Thuaj: “Kush është ai që mund t’ju mbrojë prej Allahut, nëse Ai dëshiron (t’ju godasë me) ndonjë të keqe, ose (kush mund ta ndalë të mirën e tij) nëse Ai dëshiron ndonjë të mirë?” Allahu është i Vetmi që ka në dorë të japë ose të privojë, të sjellë mirësi ose të godasë me dënime e fatkeqësi. Mirësia vjen veçse prej Tij dhe e keqja mund të largohet veçse prej Tij. Le ta dinë këta dezertorë dhe braktisës të çështjes së Allahut se:
– ”Përveç Allahut ata nuk do të gjejnë asnjë mbrojtës e asnjë ndihmëtar”. – Ata nuk do të gjejnë asnjë ndihmëtar, që t’u japë ndonjë mirësi dhe as mbrojtës që të mund t’u largojë ligësinë dhe fatkeqësitë. Le t’i përkushtohet njeriu veç Atij që është i vetëm dhe i pashoq në çdo drejtim, Atij i Cili i ka në dorë të gjitha çështjet. Le ta dijë se ajo që do të përmbushet është veçse dëshira dhe vullneti i Allahut dhe ajo që Ai e ka përcaktuar në kaderin e Tij. Nëse Allahu të braktis, atëherë nuk ka për të të vlejtur asnjë ndihmëtar e mbrojtës. Në vijim, Allahu i Lartësuar i kërcënon këta dezertorë, që përpiqen të lëkundin besimin e besimtarëve dhe të përçajnë radhët e tyre, madje u jep një kërcënim të fortë. Ai thotë: