Select Page

Thuaj: “Ikja për t’i shpëtuar vdekjes ose vrasjes (në luftë) nuk ju sjell asnjë dobi. Edhe po të shpëtoni atëherë, nuk do të jetoni veçse për pak kohë.”. – Duke i qortuar për dorëzimin e tyre dhe duke i njoftuar se kjo nuk ka për t’u sjellë asnjë dobi të pretenduar, thuaju atyre: “Ikja për t’i shpëtuar vdekjes ose vrasjes (në luftë) nuk ju sjell asnjë dobi. Edhe po të shpëtoni atëherë, nuk do të jetoni veçse për pak kohë.” Siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Thuaju: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata që u është shkruar të vriten, do të shkonin patjetër në vendin e vrasjes.” [Al-Imran 154].

Shkaqet mund të sjellin pasojat vetëm nëse nuk bien ndesh me ligjin dhe caktimin e Zotit. Por nëse vjen caktimi kaderi dhe vendimi (el-kadau) i Zotit, zhvlerësohet çdo shkak dhe nuk sjell asnjë pasojë. Çdo përpjekje që njeriu mendon se mund ta ndihmojë, nuk ka për t’i sjellë asnjë dobi të shpresuar. Kur ju u larguat nga lufta, që t’i shpëtoni vdekjes dhe vrasjes, e bëtë këtë që të mund të jetoni e shijoni akoma kënaqësi të kësaj dynjaje. Por diheni se: “… atëherë do të jetoni veçse për pak kohë.” Dhe kjo kënaqësi e pakët është shumë e papërfillshme përballë gjynahut të madh që bëtë me dezertimin tuaj dhe braktisjen e urdhrit të Zotit. Me këtë, ju privoni veten tuaj nga mirësia e madhe që Zoti u premtoi durimtarëve në këtë jetë dhe në ahiret, mes atyre kënaqësive të pashembullta dhe të pashtershme.