– “Është Ai që ta zbriti ty (Muhamed) Librin me të vërtetën, …” – Ky është libri më i madh dhe më i rëndësishëm që është shpallur. Ai përmban dhe qartëson të vërtetën e sigurt. Të vërteta janë të gjitha kumtet që ky libër sjell për njerëzit. Të drejta janë ligjet dhe dispozitat e ligjëruara nëpërmjet tij. Kumtet, urdhrat, ndalesat dhe kufijtë e sqaruar në të janë të vërtetë, të garantuar prej Zotit të botëve. Këtë të vërtetë të sigurt Allahu i Lartësuar e ka shpallur me një qëllim madhështor: që krijesat të adhurojnë Zotin e gjithësisë dhe të studiojnë e jetojnë sipas udhëzimeve të sjella në librin e Tij të qartë.
– “… si vërtetues të librave të mëparshëm.” – Kur’âni është vërtetues i librave hyjnorë të mëparshëm, pra, që u shpallën para tij. Ai shërben si i vetmi matës për të dalluar vërtetësinë e lëndës që ndodhet në librat hyjnorë të mëparshëm që kanë arritur në duart e njerëzve. Të vërteta në librat e mëparshëm, ose ajo çka mbetur prej tyre, janë vetëm ato që Kur’âni i dëshmon dhe i konsideron si të tilla. Çdo gjë që ky libër e refuzon, konsiderohet e papranueshme. Ai është në përputhje të plotë me linjën e drejtë e të pandryshueshme të të gjithë profetëve.
Të gjithë librat hyjnorë kanë dëshmuar për vërtetësinë dhe sinqeritetin e këtij Profeti, sepse bazat e rrugës së tyre janë të njëjta. Ithtarët e Librit, nga ana tjetër, nuk kanë asnjë mundësi për të vërtetuar saktësinë e librave të tyre, përveçse nëpërmjet profetit Muhamed (a.s.). Vetëm nëse besojnë këtë profet dhe shpalljen që i është dhuruar atij nga Zoti i gjithësisë, ata mund të vërtetojnë saktësinë e librave të tyre dhe mund të konsiderohen se, vërtet i besojnë ato. Nëse e mohojnë Profetin dhe Shpalljen që atij i është dhënë, ata kanë dëshmuar, me ose pa dashje, mohimin e librave të cilat ende kanë mbetur në duart e tyre.
– “Ai e zbriti më parë Teuratin dhe Ungjillin, si udhëzim për njerëzit” – Para shpalljes së Kur’ânit, Allahu i Lartësuar i shpalli Teuratin Musait dhe Ungjillin Isait (a.s.). Këto shpallje Ai i solli si udhëzim për njerëzit dhe u sqaroi atyre udhëzimin nga devijimi. Kush e pranon udhëzimin e Allahut, do të gjejë rrugën e drejtë, dhe kush e shpërfill atë, do të mbesë në errësirat e humbjes.