– ”Zoti yt kurrë nuk do ta shkatërronte një popull pa dërguar ndër ta profet, që t’u lexonte atyre argumentet Tona.” – Ai gjithmonë ka dërguar profetë në qytetet dhe vendbanimet kryesore të njerëzve, në mënyrë që njerëzit të dëgjojnë për të vërtetën. Zoti ka dërguar profetë, që t’u lexojnë njerëzve argumentet e Tij. Ai i ka mbështetur profetët me shenja të mëdha e mrekulli, të cilat tregojnë për vërtetësinë e Shpalljes dhe besnikërinë e profetëve.
Fjala e tyre shkonte dhe përhapej tek të afërtit dhe të largëtit. Nëse Zoti do t’i dërgonte profetët në ndonjë fshat të humbur e të largët për njerëzit, do të ishte e vështirë të merrej vesh e vërteta dhe të përhapej ndër njerëz. Vendet e largëta janë të fshehura dhe banorët e tyre janë zakonisht të vrazhdë dhe jo miqësorë. Kurse në qytetet dhe qendrat e mëdha është më e lehtë përhapja e informacionit dhe banorët e tyre janë më pak të ashpër.
– ”Gjithashtu, Ne kurrë nuk e shkatërrojmë një vend, përveçse kur ata bëjnë padrejtësi.” – Vetëm kur janë të zhytur në kufër dhe poshtërsi, që e meritojnë tërësisht ndëshkimin. Pra, Allahu i Madhëruar nuk ndëshkon asnjë pa e paralajmëruar dhe pa shkak, por i ndëshkon veçse për shkak të padrejtësisë dhe mosbesimit.