Select Page

Njëra prej tyre shkoi tek ai (Musai) e ndrojtur …Kjo tregon për fisnikërinë dhe moralin e lartë të saj. Nuk ka dyshim se turpi është nga virtytet më të larta, sidomos për vajzat. Kjo qasje nga kjo vajzë e moralshme tregonte edhe për diçka tjetër: Musai u shërbeu atyre vajzave jo si një qiraxhi ose si një shërbëtor, me të cilin mund të flasësh si të duash. Jo, ai ishte krenar dhe fisnik në shpirt, njeri nga i cili duhet të kesh turp dhe t’i flasësh me kujdes. Mirësjellja e morali i tij e bënte Musain një fisnik, i cili ta impononte respektin, prandaj ajo vajzë po i afrohej me ndrojtje.

– ”… dhe i tha: “Babai im të thërret, me qëllim që të të shpërblejë që u dhe ujë bagëtive tona.” – Babai ynë dëshiron të të falënderojë dhe nderojë për shërbimin e vyer që na bëtë. Ishit ju që na nderuat fillimisht, prandaj babai dëshiron veçse t’i përgjigjet bamirësisë suaj, sado pak qoftë. Dhe Musai e pranoi ftesën:

Kur shkoi tek ai dhe i tregoi atë që i kishte ndodhur (në Egjipt), ai tha: “Mos ki frikë! Tashmë ke shpëtuar nga populli keqbërës.” – Ai i tregoi historinë e tij, që nga shkaku i arratisjes nga Egjipti e deri sa mbërriti në Medjen. Atëherë, babai i vajzave, duke u përpjekur të qetësonte zemrën e Musait, i tha: “Mos ki frikë! Tashmë ke shpëtuar nga populli keqbërës.” Pra, qetësohu, sepse Allahu tashmë të ka shpëtuar prej tyre që kur të solli në këtë vend, ku Faraoni nuk ka pushtet.