– ”Ajo i tha motrës së Musait: “Shkoji pas!” – Nëna e Musait dërgoi motrën e tij, që ta ndiqte nga pas dhe të shihte ç’do të ndodhte me të, por këtë duhet ta bënte fshehtas dhe të mos e shihte askush. Dhe ashtu veproi:
– ”Kështu ajo (e motra) e vrojtonte atë prej së largu dhe ata nuk e diktonin.” – Ajo ecte në rrugën ku ai kalonte, në brigjet e lumit, duke e parë tinëz. Allahu na njofton se ata nuk e diktonin që ajo vrojtonte. Ajo e kreu këtë punë me shumë kujdes, sepse nëse do ta vërenin, do të mendonin se ishte ajo që e kishte hedhur, dhe ndoshta mund ta vrisnin si të gjithë fëmijët meshkuj të bijve të Izraelit ose si ndëshkim për familjen e tij, që nuk iu bindën ligjit të Faraonit.