– ”Zemra e nënës së Musait ndjeu një zbrazëtirë (kur kuptoi se djali kishte rënë në duar të Faraonit)” – Kur Musai i vogël në atë sunduk u largua nga sytë e nënës, ajo u dëshpërua dhe zemrën e saj e kaploi një frikë e madhe. Allahu e tregon këtë frikë kur tha e përshkroi se zemra e saj u boshua nga frika dhe meraku për foshnjën e saj. Kjo është natyra e dobët njerëzore, edhe pse Zoti e ndaloi nga frika dhe trishtimi dhe i premtoi se do t’ia kthente në gjirin e saj të sigurt.
– ”dhe gati sa nuk e zbuloi atë (fëmijën),” – Pra, gati e shfaqi atë që fshihte në zemrën e saj.
– ”… sikur Ne të mos ia kishim forcuar zemrën (me besim)” – Por Allahu e forcoi dhe e bëri të duronte fort, që të mos e shfaqte.
– ”dhe të mbetej (një besimtare) e palëkundur.” – Allahu e ndihmoi të bënte durim dhe të bëhej besimtare e sinqertë. Nëse robin e godet një fatkeqësi dhe bën durim duke i qëndruar bazave të besimit, kjo do të bëhet shkak që besimi i tij të shtohet e të forcohet. Nga ana tjetër, kur robi vazhdon të ankohet dhe nuk bën durim, kjo tregon për dobësinë e besimit të tij.