– ”Faraoni mbahej me të madh në tokë. Ai e ndau popullin në grupe. Njërin grup e shtypte: djemtë ua vriste, kurse vajzat ua linte gjallë. Ai qe shkatërrues i madh.” – I tillë ishte ky tiran në mbretërimin e tij. Ai ndihej i pamposhtur mes ushtrisë dhe në pushtetin e tij, prandaj u bë arrogant, e jo i nderuar.
– ”Ai e ndau popullin në grupe.” – Ai e ndau në grupe dhe me secilin vepronte siç i donte qejfi. Ai ushtronte pushtetin mbi ta autoritetin dhe tiraninë e tij. Kështu:
– ”Njërin grup e shtypte …” – Kjo pjesë ishin bijtë e Izraelit, që Allahu i kishte dalluar mbi të gjithë, e të cilët ai duhet t’i nderonte e respektonte. Përkundrazi, ai i dobësoi si popull dhe e uli shumë pozitën e tyre në shoqëri.
Ai u tregoi se nuk kishte asnjë vlerësim për shërbimin dhe pozitën e tyre, prandaj asgjë nuk e ndalonte të bënte çfarë të donte me ta (ndryshe nga koha kur Jusufi shërbente në shtëpinë e Faraonit në Egjipt). Kështu, ai as nuk interesohej për gjendjen e tyre dhe as nuk pyeste për të drejtën e tyre, madje duke parë rrezikshmërinë e tyre, ai bëri një vepër të tmerrshme kundër kësaj popullsie.
– ”… djemtë ua vriste, kurse vajzat ua linte gjallë.” – Këtë e bëri nga frika se ata do të shumoheshin e do të fuqizoheshin. Ai kishte frikë se mos ata i merrnin pushtetin.
– ”Ai qe shkatërrues i madh.” – Ai nuk kishte asnjë synim përmirësimi e rregullimi, as për çështjet e besimit e fesë dhe as për çështjet e dynjasë. Ky ishte shkatërrimi i tij.