– ”Kur u erdhën argumentet Tona të qarta, ata thanë: “Këto janë sigurisht magji.” – Ato ajete ishin ndriçuese dhe tregonin për të vërtetën. Ato i jepnin dritë njeriut që të shohë të vërtetën, ashtu si dielli që i jep dritë shikimit. Por ata të mjerë thanë: “Kjo është magji e qartë.” Nuk u mjaftoi të thoshin se është magji, por shtuan dhe fjalën “mubin” – pra, e qartë dhe e dukshme lehtësisht për çdo kënd.
Kjo është vërtet çudia më e madhe! Ato shenja të mëdha që të hapin sytë dhe që të ndriçojnë shpirtin e zemrën, t’i krahasosh me magjinë dhe punët e shëmtuara?! A nuk tregon kjo për më të madhen poshtërsi dhe më të shëmtuarin mohim e përmbysje të realitetit?!