Select Page

– “Nënat le t’u japin gji foshnjave të tyre dy vjet të plotë, nëse dëshirojnë që ta plotësojnë gjidhënien.” – Allahu e ka konsideruar këtë normë si diçka të njohur dhe të padiskutueshme ndër njerëz. Pra, ishte e panevojshme që t’i urdhëroje njerëzit për një çështje të tillë. Fjala “vit”, që është përdorur në ajet, mund të përdoret për treguar një vit të plotë, por ajo mund të tregojë edhe një periudhë më të gjatë, prandaj Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar qartë, duke thënë: “dy vite të plota.” Pasi fëmija të mbushë dy vjet, gjidhënia e tij është plotësuar.

Pas plotësimit të dy vjetëve, qumështi i gjirit konsiderohet për të si çdo ushqim tjetër. Për këtë arsye, pas plotësimit të dy viteve, gjidhënia nuk është më faktor në asnjë çështje ligjore. Me fjalë të tjera, gjidhënia që të bën vëlla, motër, bir apo bijë prej qumështi, është ajo që kryhet brenda dy viteve të para të foshnjës. Në Kur’ân gjendet edhe një ajet tjetër që flet për çështjen e gjidhënies, i cili thotë: “…barra dhe gjidhënia zgjasin 30 muaj.” Pra, duke qenë se gjidhënia e plotë zgjat dy vjet, ose 24 muaj, atëherë del që koha më e shkurtër e shtatzënisë (që merret parasysh nga Sheriati) është 6 muaj. Pra, gruaja mund të lindë një fëmijë edhe për gjashtë muaj.

– “I ati i fëmijës ka përgjegjësi për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre, ashtu si është zakoni.” – Burri e ka detyrë përkujdesjen për ushqimin dhe veshjen e nënës së fëmijës, pavarësisht në janë të ndarë apo jo. Ky kujdes për të është si kompensim për gjidhënien e saj. Ky ajet tregon që, edhe nëse gruaja vazhdon të jetojë me burrin e saj, ajo nuk ka të drejtë të kërkojë për gjidhënien më shumë se aq sa e ka përcaktuar Allahu në këtë ajet. Asaj i takon aq sa është normale dhe e zakonshme për atë vend dhe popull ku jeton, pa rënë ndesh me Sheriatin.  Çdokush detyrohet sipas mundësisë së tij, siç thotë i Madhëruari:

“Askush nuk ngarkohet më shumë sesa ka mundësi.” – Kështu, i varfëri nuk ngarkohet me shpenzimet e një të pasuri. Madje, ai që nuk ka asgjë, nuk ngarkohet me shpenzime, derisa të ketë mundësi t’i përballojë ato.

“Nëna, nuk bën të dëmtohet me fëmijën e saj, e as babai me fëmijën e tij.” – Nuk lejohet që të lëndohet nëna me fëmijën e saj, për shembull, duke mos e lejuar atë që t’i japë gji fëmijës, ose që t’i japë përkujdesjen e nevojshme. Por edhe babai nuk duhet që të dëmtohet me këtë fëmijë, për shembull, kur nëna nuk pranon t’i japë gji fëmijës së tij, ose kërkon prej tij shpenzime dhe përkujdesje më të mëdha sesa është e nevojshme. Nga ajeti kuptohet (pikërisht nga pjesa: “ue alel meulũdi lehû”), gjithashtu, se fëmija i takon babait të tij. Ai është dhuratë e Zotit për të, është një pjesë e tij, që ka dalë në jetë. Për këtë arsye, babait i lejohet të marrë prej pasurisë së fëmijës së tij, pranon apo jo ky fëmijë, ndërsa nënës nuk i lejohet një gjë e tillë.

– “Edhe trashëgimtarët (ashtu si prindërit) kanë të njëjtat përgjegjësi (në përkujdesin ndaj fëmijës).” – Nëse fëmija nuk e ka babain dhe nuk ka pasuri që të përballojë shpenzimet e gjidhënies, atëherë është detyrë e trashëgimtarëve të fëmijës që të përballojnë shpenzimet e gjidhënëses. Kjo tregon, gjithashtu, se është detyrë e të afërmve të pasur që të ndihmojnë të afërmit në nevojë.

“E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi, ata (dy prindërit) vendosin për ndërprerjen e gjidhënies, kjo nuk përbën ndonjë gjynah për ta.” – Pra, nëse dy prindërit vendosin me mirëkuptim që t’ia ndalojnë gjidhënien fëmijës para plotësimit të dy vjetëve, kjo është e lejueshme, por me dy kushte: së pari, me pëlqimin e të dyve dhe, së dyti, pas konsultimit të çështjes: a e dëmton kjo fëmijën, apo jo. Nëse fëmija nuk dëmtohet dhe ata janë dakord, atëherë ndërprerja e gjidhënies para plotësimit të dy vjetëve është e lejueshme. I parë ndryshe, ajeti na jep të kuptojmë se, nëse thyhet njëri kusht i lartpërmendur, nuk lejohet ndërprerja e gjidhënies. Pra, nëse njëri prind nuk është dakord, ose kur ndërprerja është e dëmshme për fëmijën, atëherë ajo është e ndaluar.

“Nëse ju dëshironi gjidhënëse tjetër për fëmijën tuaj, kjo nuk përbën ndonjë gjynah për ju, me kusht që pagesën t’ia bëni në mënyrë të duhur.” – Pra, nëse dëshironi të gjeni gjidhënëse tjetër për fëmijën tuaj, përveç nënës, edhe kjo është e lejueshme, por me kusht që të mos synohet dëmtimi i nënës. Po ashtu, gjidhënëses duhet t’i jepet shpërblimi i plotë dhe në kohë, sipas rregullit.

“Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu ju sheh se çfarë bëni.” – Për çdo vepër që bëni, Allahu do t’ju shpërblejë me të mira ose me të këqija, sipas meritave.